Kosova

Sveçla: Hetimi më i madh ndonjëherë. Së shpejti pritet të publikohet raporti për sulmin e Banjskës

Nga Gazeta 'Si'-Kosova është duke kryer një prej hetimeve më të mëdha në historinë e saj. Kështu deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë Xhelal Sveçla në lidhje me hetimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Sveçla paralajmëroi se shumë shpejt Policia dhe Prokuroria do të publikojnë raportin për hetimin e sulmit terrorist ku mbeti i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serb.

“Për çështjen e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, tashmë jeni njoftuar që Policia e Kosovës me Prokurorinë janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës. Patjetër unë shpresoj që shumë shpejt do të dalin me rezultatet preliminare. Kjo është edhe një ndër kërkesat që i kam adresuar edhe Policisë dhe Prokurorisë përmes Policisë, që sa më shpejt të kemi një raport preliminar mbi të gjeturat nga ky rast, por edhe nga rasti i rrëmbimit të policëve.

Unë pres që ditëve në vijim që Prokuroria dhe Policia të dalin me raport mbi të gjeturat për këto dy raste jashtëzakonisht të rënda për Kosovën”, tha Sveçla në një konferencë për media të mbajtur sot bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë