Futboll

Superliga zbulon formatin e ri, sulm UEFA-s: Monopol që zgjat prej 45 vitesh

Gazeta Si – Pak ditë nga sentenca e Gjykatës së Madridit, që ndalon FIFA-n dhe UEFA-n të ndëshkojnë klubet promotore të Superligës, ka zhvillime të reja në lidhje me formatin e saj të ri.

Bernd Reichart, administratori i 'A22 Sports Management', kompania që merret me organizimin, ka shpjeguar në një intervistë për ‘L'Equipe’ idetë e reja mbi formatin e kampionatit europian për klube: "Formati nuk parashikon pjesëtarë të përhershëm, nuk është një kompeticion elitar i mbyllur, por i hapur dhe i bazuar te meritat. Do të administrohet nga klubet dhe nuk dëmton kampionatet kombëtare”, - thotë Reichart.

Bernd Reichart, CEO i Superliges. Gazeta Si, 7 shkurt 2023

Projekti i ri u thotë ‘mjaft’ shpenzimeve të çmendura të klubeve. “Do ketë një ‘fair-play financiar të ashpër. Sot shumë pak klube kanë fitime, pjesa më e madhe akumulojnë borxhe dhe rrezikojnë të zhduken. Të tjerë heqin dorë nga investimet, - ka shtuar Reichart. – Klubet nuk mund të shpenzojnë më shumë se 55% të buxhetit për pagat. Duam të ndalojmë edhe sponsorizimet e fryra. Nuk mund të shpenzosh më shumë se sa gjeneron”.

Nuk mungon edhe një sulm ndaj UEFA-s dhe presidentit të saj Cerin. “Futbolli po humb tërheqjen dhe fuqinë ekonomike, shumë klube e kanë këtë shqetësim dhe po diskutojnë me ne për ta zgjidhur problemin. Sistemi aktual dhe Championsi i ri nuk janë adaptë. Ka shumë ndeshje të kota, pak ‘big match’ mes skuadrash të forta dhe kompeticioni bëhet i gjallë vetëm në shkurt.

Duam të kemi të drejtën të bëjmë propozime pa pasur frikën e ndëshkimit. UEFA është rezistente ndaj çdo lloj ndryshimi, është mirë kështu, pa konkurrencë, pa rreziqe. Është një monopol që zgjat prej 45 vitesh. Por ky është diskriminim, autorizimi për një kampionat të ri duhet të aprovohet nga një palë e tretë. Pse duhet të varemi nga një organizatë zvicerane?

Do të kërkojmë që klubet të kenë sovranitetin e tyre dhe që të jenë të zotët e fatit të tyre. Na duket e padrejtë që klubet të marrin rreziqe të mëdha nga pikëpamja ekonomike dhe pastaj të mos kenë fuqi vendimmarrëse”, - pohon CEO i Superligës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë