Futboll

Superliga është një “tortë” miliardash, ECA tremb UEFA-n

Është një ndeshje e komplikuar, që sapo ka nisur dhe që vlen një “mal” me para. Në një analizë të thellë të spanjolles “As” trajtohet çështja e Superligës, projektit për një kompeticion të ri për klubet, të miratuar nga FIFA dhe të kundërshtuar fuqishëm nga UEFA. Është një temë që ka ngritur shumë diskutime. Gjithçka lidhet për të ardhurat që gjeneron ky aktivitet për klubet pjesëmarrëse, që kapin shifrën e 900 milionë eurove. Të ardhurat janë të lidhura ngushtë me shitjen e të drejtës televizive dhe ajo që është e qartë lidhet me faktin se çdo klub mund të arkëtonte më shumë se trefishi i shumës që fiton aktualisht fituesi i Champions League. Një shifër e jashtëzakonshme që mbetet në sfondin e një beteje që përfshin ECA-n (shoqatën e klubeve më të mëdha europiane), UEFA-n dhe pjesërisht edhe FIFA-n.

Pse kjo betejë? Arsyeja është e thjeshtë: ECA po merr gradualisht më shumë fuqi dhe synon të jetë pjesëmarrëse në të gjitha vendimet më të rëndësishme të futbollit europian dhe botëror, siç janë për shembull kalendarët, formula e kompeticioneve e deri tek të ardhurat. ECA gjithashtu pretendon se përfitimet financiare nga Champions League janë shumë të ulëta në raport me evente të tjera sportive në botë, ”Super Bowl" për shembull. ECA kërkon që duke nisur nga viti 2021, kur të bëhet shitja e të drejtës televizive të Championsit për trevjeçarin pasardhës, të merret në konsideratë mundësia e adaptimit të kompeticionit në vende si Amerika, Kina etj. Në këto kushte, Anjeli, presidenti i ECA-s, mund ta trembë seriozisht Ceferinin e UEFA-s.

Real Madrid, kampion në fuqi i Champions League

Beteja nuk ka shpërthyer ende zyrtarisht, por është e dukshme. Ndoshta palët nuk dëshirojnë të shkojnë deri në një krisje të fortë mes tyre, por është e qartë se bëhet fjalë për një provë fuqie mes institucioneve. Në sfond është edhe një luftë tjetër, ajo mes Amerikës dhe vendeve aziatike, me investitorë të fuqishëm që janë gati të veprojnë. Në Amerikë është “Relevant Sport”, që organizon ICC dhe që është sponsori kryesor i ECA-s, rrjedhimisht edhe i Superligës. Në anën tjetër janë aziatikët e Infantinos dhe FIFA-s, me botërorin e klubeve të zgjeruar në 24 skuadra. Në mes, në një pozicion komod, janë Ceferin dhe UEFA, që e kanë kuptuar se çfarë po luhet dhe kërkon të firmosë një memorandum, në marrëveshje me ECA-n, për ta shtyrë të paktën deri në vitin 2024 “tërmetin” dhe pasojat e tij, për ta bërë reformën me më shumë qetësi.

Është një çështje që nuk mbyllet këtu, përkundrazi. Në fund do të ketë shumë diskutime në lidhje me ndarjen e të ardhurave, forcën e klubeve dhe kalendarin që parashikon ndeshje Championsi në fundjavë dhe në orare që mund të shihen nga e gjithë bota. Por janë edhe dy çështje të tjera për t’u zgjidhur: rishikimi i “Fair-Play”-it financiar, i paralajmëruar nga UEFA, si dhe mundësia, edhe pse e vogël, ndoshta e pamundur, për të dërguar përfundimisht në pension UEFA-n. Për të mos folur për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në vende të tjera. Ndoshta më vonë nuk do të diskutohet më për 900 milionë për çdo klub, sepse “torta” mund të bëhet më e madhe dhe fetat e saj do të jenë më të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë