Futboll

Superkupa/ Liverpuli me kujtime të ëmbla në Stamboll, Lampard për surprizën

Futbolli i madh zbret në fushë sot në mbrëmje, në orën 21:00, në Stamboll, ku do të zhvillohet Superkupa e Europës “made in England”. Sfida Liverpul-Çelsi, që do të gjykohet nga francezja Stefani Frapart, flet qartë për dominimin e Anglisë në futbollin europian. Java e parë e Premier League, ku tashmë është futur edhe VAR-i, konfirmoi se lidershipi është Mançester Siti, ndërsa rivalët e tij janë Liverpuli dhe Totenhemi. Për Çelsin post-Hazard dhe të rinjtë e lançuar nga trajneri Frenk Lampard nuk do të jetë aspak e lehtë, prandaj dhe për finalen e sotme favorit është Liverpuli.

Megjithatë, në një ndeshje ndodh gjithçka dhe dëmtimi serioz i Alisonit mund të krijojë probleme te skuadra e trajnerit Klop. Stambolli është një vend, që sjell në memorie kujtime të bukura për Liverpulin, që shpallej kampion i Europës në 2005-ën, pasi mundte me penallti Milani e Ançelotit. “Kujtime të bukura, - ka thënë Klop -, por kanë kaluar 14 vjet dhe Liverpuli tani është gjë tjetër. Duam të fitojmë, por nëse dikush mendon se do të jetë e lehtë, e ka gabim. Çelsi luajti mirë ndaj Mançester Junajtid dhe rezultati nuk i përgjigjet lojës”. Te Liverpuli kthehet titullar Mané në sulm, kurse në mesfushë Milner dhe Keita duken favoritë ndaj Henderson dhe Uijnaldum.

Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit. Gazeta Si, 14 gusht 2019

Çelsi duket “i plagosur” nga humbja e thellë në “Old Trafford”, por Lampard e mban kokën lart: “Në Mançester dominuam për një pjesë të mirë të ndeshjes, por paguam gabimet dhe problemet në finalizim. Kam besim te ky grup. Është larguar një lojtar kalibri si Hazard, por duhet të shohim përpara dhe për të rinjtë ky sezon është një shans i rëndësishëm që nuk duhet humbur. Mund të jetë thelbësor për karrierën e tyre. Liverpuli është një kundërshtar i madh, megjithatë ne do të bëjmë lojën tonë”, - tha trajneri i bluve, i cili pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë amerikanin Pulisiç, ndërsa për Kante vendoset në momentet e fundit.

Frenk Lampard, trajneri i Çelsit. Gazeta Si, 14 gusht 2019

Liverpuli ka fituar 3 Superkupa të Europës: 1977, 2001 dhe 2005. Çelsi e ka fituar këtë trofe në vitin 1998 dhe e ka humbur në 2012-ën dhe 2013-ën. Në Stamboll ndërkohë janë marrë masa të jashtëzakonshme për sigurinë, pasi më parë ka pasur përleshje mes tifozëve turq dhe atyre anglezë. Ka edhe një alarm për terrorizëm, ndaj dhe autoritet turke janë në gatishmëri maksimale. Ndeshja luhet në stadium “Besiktas Park”, i inauguruar në 2016-ën, me një kapacitet prej 41 mijë vendesh. Biletat janë shitur të gjitha, nga Anglia kanë ardhur me mijëra tifozë, por edhe tifozët turq, kryesisht me Liverpulin, nuk duan të mungojnë në këtë sfidë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë