Futboll

Superiorja në sprintin final, futboll në fushë apo në tavolina?

Mbyllet sot faza e tretë e kampionatit të Kategorisë Superiore, që ka llogari të hapura në tre fronte. Në të parin dhe më kryesorin, atë të titullit kampion, gara duket e hapur më shumë matematikisht, duke marrë në konsideratë diferencën prej 9 pikësh që ka krijuar Partizani në krye të renditjes. Me Kukësin gati të dorëzuar për titullin dhe të “kënaqur” me vendin e dytë, më shumë interes paraqet lufta për të shkuar në Europë dhe ajo e mbijetesës në Superiore, që çuditërisht ka përfshirë edhe Tiranën.

Jemi në atë fazë të kampionatit, ku zakonisht luhet më shumë në tavolinë se në fushë, ndaj dhe frika më e madhe është ajo që trajneri Ardian Mema e tha hapur në konferencën për shtyp, alencat që dëmtojnë ekipet në garë. Përvoja flet për garë të pandershme në këtë periudhë kampionati, për tolerime dhe “pazare” nga skuadra të caktuara. Në kampin e Tiranës i druhen shumë faktit se rivalët e tyre do të tolerohen. Që sot do të duket në një farë mënyre, nëse do të kemi futboll korrekt, apo do të shohim të njëjtën histori, me rezultatet të paravendosura. Për mbijetesë luftojnë Kastrioti, që është më i rrezikuari, Tirana dhe Luftëtari.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Luftetarit këtë sezon

Skënderbeu është ekipi i vetëm që i ka tri pikët të sigurta, pasi kalendari i rezervon ndeshjen me Kamzën dhe korçarët fitojnë në tavolinë, duke shkuar në kuotën e 40 pikëve. Partizani pret Luftëtarin, ekipin që e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë, por këtë herë melodia ndryshon. Të kuqtë duhet të fitojë medoemos për të mos i dhënë mundësi Kukësit të afrohet. Trajneri Gega ka mungesa të rëndësishme titullarësh, si Telushi dhe Hila, por për Partizanin nuk ka asnjë justifikim. Veriorët ndërkohë përplasen me Kastriotin në Fushë-Krujë, ku krutanët janë bërë “të frikshëm” kohët e fundit.

Nga një ndeshjes me Flamurtarit dhe Tiranës

Flamurtari, që tani ka vetëm kampionatin dhe synon një vend në Europa League, pret Tiranën në Vlorë. Ndeshje e vështirë, por vlonjatët janë më të freskët fizikisht, pasi kanë tri javë që nuk luajnë ndeshje zyrtare, ndërsa kundërshtari luajti në mesjavë dhe shpenzoi shumë energji për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Tiranës i duhet të paktën të mos humbë në Vlorë dhe të shpresojë që Kastrioti të mos fitojë me Kukësin, sepse ndryshe llogaritë do të komplikoheshin shumë. Laçi është një tjetër ekip që kërkon Europën dhe ndaj Teutës nuk ka rrugë tjetër veç fitores. Gjithsesi, duke u kthyer te çështja e ngritur në fillim, e rëndësishme është që të shohim futboll korrekt dhe këtë vetëm fusha e tregon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë