Futboll

Superiorja kthehet me ‘klasiken’ e Shqipërisë, Vllaznia sfidon Tiranën në “Air Albania”

Tirana dhe Vllaznia luajnë sot atë që quhet “klasikja” e Shqipërisë. Dy nga skuadrat më me emër në futbollin shqiptar, të dyja pretendente për titull, do të matin forcat sot në mbrëmje (ora 19:45), në stadiumin “Air Albania”. Kjo sfidë dhe ajo mes Skënderbeut dhe Laçit shënojnë rikthimin e kampionatit me javën e 16-të të tij.

Tiranën dhe Vllazninë i ndajnë 8 pikë në tabelën e renditjes (33 ndaj 25), me kryeqytetasit përpara, kurse shkodranët, nëse munden sot, do të dilnin jashtë garës së titullit, edhe pse jo matematikisht. Kampionati ka edhe shumë rrugë përpara, por gjithmonë sfidat direkte mes rivalëve kanë rëndësi të veçantë, sepse kanë ndikim edhe në ndeshjet e tjera.

Nga ndeshja Vllaznia-Tirana, 0-2, e luajtur ne stadiumin "Loro Borici". Gazeta Si, 15 janar 2022

Si Tirana, ashtu edhe Vllaznia, kanë lëvizur fare pak në merkaton e dimrit. Skuadrës së Shehit i është bashkuar braziliani De Silva, i cili mund ta nisë nga stoli ndeshjen e sotme, ndërkohë që mungon Ngo për shkak dëmtimi. Edhe Bërdariç e ka forcuar grupin me vetëm një element, mesfushorin Panos. Trajneri gjerman pritet të hedhë sot në fushë formacionin më të mirë, me të cilin ka përballuar pjesën e parë të sezonit, një formacion sulmues.

Laçi, që e mbylli 2021-shin me një ecuri shumë të mirë, sot ka provën e vështirë të Korçës, ku kipet kryesuese janë ndalur. Java e 16-të vazhdon nesër me ndeshjet Egnatia-Partizani dhe Kastrioti-Teuta, ndërsa Kukësi-Dinamo është shtyrë për të mërkurën.

Abissnet Superiore, java e 16-të

Sot

Skënderbeu-Laçi

Tirana-Vllaznia

Të diel

Egnatia-Partizani

Kastrioti-Teuta

Të mërkurë

Kukësi-Dinamo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë