Futboll

Superiorja gati për ristart, Partizani ‘kryeson’ merkaton e dimrit

Të shtunën rinis kampionati me javën e 16-të, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe klubet kanë bërë lëvizjet e tyre në merkato për të sistemuar sadopak ato role, ku kanë pasur më shumë vështirësi. Kuptohet që më shumë kanë lëvizur skuadrat që nuk kanë ecur mirë në 15 javët e deritanishme, si Partizani, Dinamo dhe Teuta.

Tirana kryesuese ka pasur pak nevojë për përforcime dhe ka afruar vetëm sulmuesin brazilian Devid De Silva për të zëvendësuar anglezin Majkëll Ngo, i cili do të operohet. Vetëm një lëvizje, të paktën deri tani, ka bërë edhe Vllaznia, një skuadër me organikë më të plotë. Mesfushori Mikael Panos i është shtuar grupit të trajnerit Bërdariç. Të dyja këto dy skuadra sfidojnë njëra-tjetrën të shtunën në “Air Albania”, ku shkodranët shpresojnë të marrin pikë për mbajtur hapur garën e titullit kampion.

De Silva në stërvitje em Tiranën. Gazeta Si, 13 janar 2022

Më shumë zhvillime ka pasur te Partizani, që përveç trajnerit Ilir Daja, ka mbyllur bashkëpunimin edhe me Emiljano Mustën deh ka një çështje të hapur me Ergys Kaçen, të cilin nuk dëshiron ta mbajë më. Edhe sulmuesi Kardozo pritet të largohet, në anën tjetër janë afruar Sherif Kallaku, një mbrojtës krahu i huaj, është rikthyer Eneo Bitri dhe tashmë synohet edhe sulmuesi Vasil Shkurtaj.

Kukësi, një rival për titull, ka rikthyer Mustën dhe ka larguar disa futbollistë stoli. Edhe nga Dinamo janë larguar disa futbollistë dhe është afruar Sabien Lilaj. Priten edhe tre futbollistë të huaj për të kompletuar grupin, me të cilin kjo skuadër do të synojë ngjitjen në pjesën e dytë të sezonit. Teuta ka bërë po ashtu një mini-revolucion, duke larguar edhe lojtarë titullarë, si Kallaku dhe sulmuesi Giorgiev.

Përpjekje për të forcuar grupin kanë bërë edhe skuadrat e vendeve të fundit, sidomos Egnatia, që ka larguar dhe afruar shumë futbollistë. Tashmë fjalën e ka fushë, që do të tregojë se kush ka goditur në shenjë në merkaton e janarit, ku lëvizjet që bëhen janë zakonisht edhe baste të rrezikshme.

Panos, afrimi i vetëm i Vllaznisë. Gazeta Si, 13 janar 2022

Dritan Mehmeti është trajneri i vetëm që do të debutojë në vitin 2022 në stolin e Partizanit. Gjatë merkatos së dimrit asnjë nga 10 klubet e Superiores nuk ka mundur të shesë asnjë futbollist në një kampionat të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë