Futboll

Superiore, dita e Partizanit dhe Vllaznisë për t’u prezantuar

Gazeta Si – Pas Tiranës dhe Kukësit, që çelën kampionatin e 84-t të Superiores me një barazim, sot është radha e Partizanit dhe Vllaznisë të prezantohen me publikun dhe tifozët e tyre. Janë dy nga skuadrat që pritet të rivalizojnë për titull këtë sezon.

Partizani luan në mbrëmje (ora 19:30) me Bylisin e ngjitur në Superiore. Të kuqtë kanë pak kohë që kanë ndërruar trajnerin, duke ia besuar stolin italianit Xhovani Kolela. Po ashtu, kanë ndryshuar jo pak në grupin e lojtarëve.

Partizani në stërvitje. Gazeta Si, 20 gusht 2022

Nga skuadra e Partizanit ka pasur largime me peshë, si Belica e Xhunior, kurse tek afrimet mund të veçohet braziliani Da Silva, ish-lojtari i Vllaznisë, apo dhe Telushi. Ndeshja e sotme në Elbasan do të tregojë deri diku se çfarë Partizani do të shohim në vazhdim.

Vllaznia luan sot me Erzenin. Shijakasit rikthehen në Superiore pas 19 vitesh dhe duan të lënë gjurmë, por me shkodranët do ta kenë të vështirë ndeshjen hapëse. Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, nuk ka ende gati Esat Malën, një nga afrimet më të mira, për shkak dokumentacioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë