Futboll

Sulmuesi i Tiranës drejt Partizanit? Një foto ngre shumë dyshime

Kur Superliga është mbyllur dhe verdiktet e saj pritet të vulosen shumë shpejt pas finales së Kupës, lidhur edhe me ekipet që do të luajnë në Kupat Europës, është koha që të fillojnë thashethemet e merkatos. Ekipet që do të luajnë në Europë pritet të jenë të parat që do të lëvizin në merkato, me qëllim që të përforcohen edhe për ndeshjet që do të luajnë në fazën eliminatore.

Partizani, si ekipi kampion do të luaj në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe kanë filluar të përfliten emrat e parë që do të afrohen. Një nga emrat që është parë më pranë “demave të kuq” është anglezi i Tiranës, Majkëll Ngo. Ajo që duket se i ka hedhur “benzinë zjarrit” ishte një foto e sulmuesit bardheblu në rrjetet sociale. Është agjenti i tij, Mario Cenolli, i cili poston foton bashkë me Ngo, dhe një nga zyrtarët më të lartë të Partizanit, Geri Burba.

Mund të ketë qenë një darkë miqësore dhe pa asnjë prapaskenë merkatoje edhe pse shumë e vështirë për ta besuar një gjë të tillë. Ngo është një emër i lakuar edhe më herët për të kaluar të Partizani. Në fillim ishin zërat në merkaton e Janarit që nuk gjetën konfirmim, pastaj një foto me Jasir Asanin në festën e titullit të Partizanit dhe tashmë kjo foto, janë shumë detaje që mund të jenë rastësore, por edhe copëza të një pazëlli që në fund do e bënte Majkëll Ngo një “dem të kuq”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë