Futboll

Sulmuesi Diego Forlan lë futbollin pas 21 vitesh karrierë

Diego Forlan ka vendosur t’i varë “këpucët në gozhdë”. Në moshën 40-vjeçare, sulmuesi uruguaian ka thënë “mjaft”, duke i dhënë lamtumirën futbollit. Një karrierë e jashtëzakonshme, shumë fanella klubesh prestigjiozë të veshura, që nga Independiente, Penaroli dhe International, për të vazhduar me Atletiko Madrid, Vilarreal, Mançester Junajtid dhe Inter në Europë.

Me një mesazh në profilin e tij në Tuiter, Forlan ka njoftuar të gjithë dashamirësit e futbollit për vendimin e tij. “Pas 21 vitesh vendosa t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist. Po ul siparin e një skene shumë të bukur, të mbushur me kujtime dhe emocione, por do të fillojë një sfidë e re për mua. I falënderoj të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetrën më kanë shoqëruar në rrugëtimin tim!”, - shkruante Forlan në postimin e tij.

https://twitter.com/DiegoForlan7/status/1158942868918231040
Postimi i Diego Forlan në Tuiter për lamtumirën nga futbolli. Gazeta Si, 7 gusht 2019

Uruguaiani pritet të marrë tani një post drejtues tek ekipi i Penjarolit në vendin e tij. Me fanellën e kombëtares së Uruguait, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, Forlan ka luajtur 12 vite dhe në 112 ndeshje ka arritur të shënojë 36 gola. Deri në vitin 2014, ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të kombëtares amerikano-latine. Forlan ka pasur gjithashtu vitet e fundit edhe dy përvoja të shkurtra në Japoni dhe në Indi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë