Pastiçeria “Sharr” në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me koktej molotovi, mëngjesin e 14 korrikut.
Lajmi u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Rreth orësh 03:30 ka pasur tentim për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut”, tha Elshani.
Sipas tij, dëmet materiale janë të vogla.
“Për momentin nuk kemi të dyshuar”, theksoi Elshani.
Pak ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sëbashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, qëndroi në pastiçerinë që u bë objekt i sulmit me koktej molotovi. Pronarët e lokalit janë pjesëtarë të komunitetit goran.

I pyetur nëse sulmi ndaj këtij lokali u krye në shenjë hakmarrjeje për vizitën e Sveçlës, Elshani tha se “nuk përjashtohet” mundësia që ky të jetë motivi i sulmit.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë të larta që nga vitin e kaluar, kur mes kundërshtimeve të popullatës lokale serbe, kryetarët shqiptarë morën drejtimin e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Tensionet u rritën edhe më shumë më 24 shtator, pasi një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kosova ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin dhe pjesëtarët e grupit të tij që kryen sulmin para autoriteteve gjyqësore të Kosovës./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.