Nga Gazeta ‘Si’- Organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, ka lëshuar urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiç, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme e Kosovës. Meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovës.
Radoiçiç u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.
Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiç tha se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës. Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.