Kosova

Sulmi në Banjskë, dënohen me burgim të përjetshëm dy prej të akuzuarve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burg të përjetshëm Bllagoje Spasojeviçin dhe Vladimir Tolliçin të akuzuar për sulmin e armatosur në komunën e Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Po ashtu ka dënuar me 30 vite burg Dushan Maksimoviçin.

Gjykatësi Ngadhnjim Arrni tha se të tre janë fajtorë dhe duke lexuar vendimin e gjykatës, ai tha se qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë, ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës.

“Përmes planit të mirëorganizuar, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe këtë pjesë t’ia bashkojë Serbisë”, tha ai.

Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviçit, Toliçit dhe Maksimoviçit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.

Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiçin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë