Ngjarje

Sulmi ndaj INSTAT, rezultatet e hetimit: U sponsorizua nga Irani, janë fshirë të dhënat në 6 kompjuterë

Nga Gazeta 'Si'-Hakerat që sulmuan faqen e Institutit të Statistikave(INSTAT) kanë fshirë informacione në 6 kompjutera.

Në total, ata rezulton të kenë infektuar 40 kompjutera përmes teknikës “Wiper”.

Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe Certifikimit Elektronik(AKCESK) raporton se pas sulmeve të 1 shkurtit ndaj INSTAT janë hakerat e “Homeland Justice”, të sponsorizuar nga Irani.

Autoriteti thekson se pavarësisht sistemeve mbrojtëse, aktorët keqdashës arritën të tejkalonin privilegjet dhe të merrnin kontrollin e sistemit Active Directory dhe “Data Protection Manager”, duke shpërndarë virusin tek pajisjet dhe serverat në rrjet.

“INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme,” njoftoi INSTAT.

Ndryshe nga njoftimi, Homeland Justice publikoi në grupin e vet në Telegram disa fjali ku pretendohej se ata kishin akses të plotë mbi të dhënat e Censusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë