Këshilli i Lartë i Prokurorisë e cilësoi atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë sulmin ndaj prokurori të Vlorës, Albet Kuliçi. KLP e vlerësoi sulmin me tritol mbi makinën e prokurorit një “akt të papranueshëm, që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit”.
Në të njëjtën deklaratë, KLP thotë se do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme dhe kërkoi që ngjarja të hetohet sa më shpejt dhe autorët të vihen para përgjegjësisë.
Sulmi është dënuar edhe nga gjyqtarët e Vlorës, ndërsa kryetari i kësaj gjykata, Skënder Haluca e lidhi sulmin krejtësisht me detyrën e prokurorit, që po heton çështje dhe dosje të abuzimit me pronat në bregdet. Këtë e konfirmoi edhe Policia e Vlorës që tha se hetimet ishin përqëndruar në këtë pistë.
Sulmi mbërrin pa u mbushur ende një muaj nga djegia e makinës së një gjyqtari në Shkodër. Sulme të tilla, pra duke djegur, ose hedhur në erë makinat e punonjësve të sistemit të drejtësisë, zakonisht nga grupet e hetimit merren si “sinjale kërcënuese” ndaj viktimës së këtyre sulmeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.