Makina e prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi u hodh në erë gjatë orëve të natës, në kohën që ajo ndodhej e parkuar pranë banesës së punonjësit të organit të akuzës. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 03:00. Kamerat e sigurisë të banesës së prokurorit kanë fiksuar lëvizjet e autorit.
Sasia e lëndës plasëse, që mendohet se ka qenë tritol, është vendosur në pjesën e përparme të automjetit tip “Volkswaggen”. Grupi hetimor ka pyetur prokurorin, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se nuk bëhet fjalë për një sulm që shënjestronte atë, por për një sinjal drejtuar atij.
Gjithashtu, dyshimet e para hamendësojnë se sulmi lidhet me detyrën e prokurorit Albert Kuliçi. Ai ka kaluar nëpër duar dhe ka ende nën hetim disa dosje të bujshme sa u takon falsifikimeve të dokumentacionit dhe përvetësimin e paligjshëm të pronave përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, e po ashtu edhe dosje që kanë të bëjnë me krimin financiar.
Ai ka hetuar dhe dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika dhe ka marrë të pandehur Pëllumb Petritajn, biznesmenin vlonjat të akuzuar si autori i tjetërsimit dhe përvetësimit të të paktën 500 hektarëve tokë në bregdet në zona të lakmueshme si Radhimë, Karaburun e Zvërnec.
Petritaj u arrestua në tetor të 2018-ës me kërkesë të prokurorit Albert Kuliçi me akuzën e tjetërsimit të pronave dhe falsifikimit të dokumenteve. Pak kohë më vonë, Petritajt iu lehtësua masa e sigurisë duke u gjykuar në gjendje të lirë kundrejt 2.5 mln lekëve të lëna si garanci pasurore.
Por, në nëntor të këtij viti, Prokurori Albert Kuliçi kërkoi në Gjykatën e Apelit rikthimin e tij në qeli pasi sipas kërkesës së dorëzuar në gjykatë, i pandehuri rrezikonte të shkatërronte provat në gjyqin kundër tij. Gjykata i dha të drejtë dhe Pëllumb Petritaj u arrestua sërish.
Prokuroria e ka dhënë pretencën duke kërkuar 28 vite burg për Pëllumb Petritajn. Por, gjykata e Apelit në Vlorë nuk ka marrë ende një vendim. Seanca e fundit duhej të ishte zhvilluar më 13 dhjetor. Por, për shkak të mungesës së gjyqtarëve, pasi e gjithë trupa e apelit të gjyqtarëve të Vlorës është “konsumuar” për këtë rast, kërkohet ndërhyrja e Këshillit të Lartë Gjyqësor për delegimin e një gjyqtari në Gjykatën e Apelit të Vlorës, që të plotësohet trupa për marrjen e vendimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.