Gazeta Si – Sulmi kibernetik i Iranit ndaj sistemeve të vendit tonë, ndodhi për shkak të një serveri të pa-përditësuar, duke u kthyer për hakerat në një portë hyrëse.
Pikërisht për këtë, Prokuroria e Tiranës akuzon për shpërdorim detyre 5 punonjës të IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP) për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Shqipëri.
Sipas dosjes, për marrjen e të dhënave, është përdorur një “cyber tool” krijuar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane për të hakuar dhe marrë të dhënat në e-maile.
Organi i akuzës ka firmosur këtë të mërkurë 5 masa e sigurie “arrest shtëpie” për këta punonjës, të cilët dyshohet se nuk kanë përditësuar sistemet dhe nuk kanë instaluar anti-viruset pas sulmit të parë të hakerave iranianë ndaj sistemeve shetërore shqiptare.
Megjithatë, Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi që personat në fjalë t’i lërë në masën “detyrim paraqitje”, duke i hetuar në liri. Ata janë Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja.
Ata do të paraqiten të mërkurën e parë dhe të tretë të muajit në orën 13:00 në Prokurorinë e Tiranës. Sipas dosjes hetimore, del se ka qenë data 21 maj 2021, kur në sistemet sekrete shqiptare u vodhën të dhënat e para.
Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP-it gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.
Për prokurorinë e Tiranës, personat në fjalë, të identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Prokuroria njofton se, në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.
“Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me anti-viruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në 15 korrik 2022 shërbimet online në Shqipëri u bllokuan si pasojë e sulmeve kibernetike. Dyshimet janë se si pasojë e neglizhencës u bë e mundur që hakerat iranian të hyjnë në rrjetet online të shtetit shqiptar duke marrë prej aty edhe të dhëna, një pjesë e të cilave tashmë janë publikuar përmes aplikacionit Telegram.
Hetimet për sulmet kibernetike përfunduan më 26 shtator të këtij viti. Ekspertët e Microsoft-it dhe ekipi investigues i krimit kibernetik të FBI-së, doli në përfundimin se hakerët iranianë arritën të hynin brenda sistemeve shtetërore shqiptare më 21 maj 2021, duke përdorur dobësinë e sistemit administrata.al.
Synimi i tyre ishte fshirja e të dhënave, por nga sulmi u cenua vetëm një e dhjeta e sistemeve shqiptare dhe gjithçka u rikuperua brenda 1 jave.
Raporti ka zbuluar se prapa sulmeve fshiheshin organizata iraniane si MOIS (Ministria e Inteligjencës Iraniane) dhe Garda Revolucionare Iraniane që financohen me rreth 7 miliardë dollarë në vit.
Ndërsa për sulmin e 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS, AKSHI tha se ajo është një infrastrukturë e pavarur nga ky institucion. Sipas raportit bëhet fjalë për 2 sulme të ndryshme me kohëzgjatje të ndryshme.
Kryeministri Rama akuzoi publikisht Iranin si përgjegjës për sulmin kibernetik dhe Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Prej asaj kohe, u publikuan të dhëna të identitetit të shqiptarëve, por edhe udhëtimet jashtë Shqipërisë të kryeministrit Rama, si dhe drejtuesve të lartë të SHISH.
Alketa Sulo – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;
Altin Sallaku– Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;
Rudina Llagami – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;
Igli Lubonja – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe
Albi Gjeka – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.