Drejtësia

Sulmet kibernetike, prokuroria kërkon bllokimin e të dhënave dhe faqeve online në 3 shtete

Gazeta Si – Me pretendimin se po publikojnë sekrete hetimore, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e të dhënave dhe faqeve online  të “Homeland Justice” në Britani, Hong Kong dhe Rusi.

Pas një sërë sulmesh kiberentike me të cilat është përballur Shqipëria muajt e fundit, Prokuroria ka bërë një kërkesë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për Ndihmë Juridike nga organet ligjzbatuese të shtetit përkatës Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse.

Sipas hetimit të Prokurorisë, hakerat që sulmuan institucionet e rëndësishme shqiptare në kohë të ndryshme, kishin faqe me emërtimin “Homeland Justice”, të cilat kishin serverin në këto tre shtete.

Prokuroria thekson se në ditët në vijim dhe aktualisht nga këto faqe si edhe nga llogaritë nga aplikacionet e komunikimeve në internet si Telegram etj, po postohen dokumente të Policisë së Shtetit, të cilat përbëjnë sekret hetimor.

Objekti i hetimit të Prokurorisë është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në vend dhe sulmi në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.

Dy sulmet, duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një çështje të vetme. Në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të vendit  që i përkiste autorëve/bashkëpunëtorëve të këtij sulmi.

Organi i akuzës thotë se ka urdhëruar dërgimin e gjithë të dhënave të sekuestruara nëpërmjet letërporosisë autoriteteve ligjzbatuese shqiptare.

Prokuroria ka deklaruar se nga faqja e grupit të hakerimit “Homeland Justice” janë publikuar të dhëna të AKSH-it dhe Ministrisë së Brendshme.

Faqet të cilat janë kërkuar të sekuestrohen:

1.Telegram Headquraters ……London United Kingdom

2.“HomelandJustice” dhe me link https://homelandjustice.cx/ me ISP...... Hong Kong;

3.“JusticeHomeland1” dhe me link  https://t.me/JusticeHomeland1.” Rusi”.

"Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe janë në vijim duke garantuar se prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe pengimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie e cila ka qëllim të cënojë gjithë veprimtarinë e organeve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, paqen sociale dhe bashkëjetesën mes individëve", - thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike në 15 korrik dhe 9 shtator të ktij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë.

Si rezultat i hetimeve që u bënë nga ekspertët shqiptarë, por edhe nga vendet aleate, doli se Irani qëndronte prapa këtyre sulmeve.

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi.

Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.

Një ditë më parë në presidencë, kreu i shtetit Bajram Begaj mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar, ku në fokus ishte çështja e për sulmet kibernetike.

Presidenti i bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe politikës që të bashkëpunojnë në situata të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë