Kombetarja

Suksesi me Shqipërinë, Reja: Më duan trajner deri në moshën 80 vjeçare

Edy Reja ja doli sërish. Tekniku nga Gorizia, 75 vjeç dhe specialist për ngjitjet nga kategoria(katër herë  në karrierë nga B në A me Brescia, Vicenza, Cagliari dhe Napoli), gjithashtu së fundmi edhe me kombëtaren shqiptare, për të cilën ai ka qenë trajner që nga prilli i vitit 2019, duke udhëhequr kuqezinjtë  në Ligën B të Ligës së Kombeve pas fitores vendimtare të Mërkurën e kaluar 3-2 ndaj Bjellorusisë. Trajneri në një intervistë të dhënë për “Repubblica” e ka cilësuar tejkalim të të gjitha parashikimeve suksesin e arritur me kuqezinjtë.

Mister Reja, përsëri një ngjitje në kategori. Nuk e keni humbur aspak vesin…

“Kemi kaluar me të vërtetë çdo pritshmëri. Ishim në vështirësi të madhe pasi mes COVID dhe dëmtimeve nga 36 lojtarë të grumbulluar erdhën vetëm 23. Ishte një arritje që vlen dyfish, kush mund ta priste? Kishim në dispozicion djem që nuk luajnë as në Serinë B dhe nuk merren në konsideratë nga klubet e tyre por në kombëtare kanë treguar shpirt gare dhe përkushtim, kemi nxjerrë maksimumin prej tyre”.

Keni në dispozicion lojtarë të cilët luajnë në Itali. Por a ka ndonjë më pak të njohur të gatshëm për hapin e madh?

Problemi i vërtetë është se nuk ka asnjë lojtar në Shqipëri, janë të gjithë zviceranë, francezë, holandezë. Duhet të shkosh t’i peshkosh vërdallë dhe nuk është një punë e thjeshtë. Është Broja, i datëlindjes 2001 i cili luan te Vitese dhe është shumë interesant. Debutoi edhe Çepele, një mbrojtës 17-vjeçar, ish i Interit, i cili tani luan në Bundesligën 2 me Hanover. Kemi shumë të rinj dhe objektivi është t’i bëjmë të rriten”.

Pra, projekti është afatgjatë?

“Sapo mbërrita, presidenti më kërkoi që të përgatitemi sa më mirë për Europianin 2024. Në fillim nisa të qeshja duke iu përgjigjur që nuk mund të bëj këtë punë deri 80 vjeç, por për sa kohë që të jem i kthjellët do të çoj përpara këtë projekt që më pëlqen dhe më përfshin. Tashmë ekziston  një shkollë futbolli, pastaj do të nisim kurset për trajnerët shqiptarë, përgatitësit atletikë dhe mjekët sportivë. Objektivi është të rritim ata talente të rinj të cilët nuk janë zhvilluar ende. COVID na ka ngadalësuar pak, por e kemi nisur me këmbën e duhur”.

Mes lojtarëve tuaj në kombëtare është Strakosha, i cili ka debutuar që i ri me Lacion. Sa e rëndësishme është për të që të ketë këtë vit si zëvendës Pepe Reinën?

“Mendoj që Tomas do të fitojë shumë nga një portier me eksperiencë të madhe dhe personalitet si Reina. Mendoj se Lacio e ka afruar edhe për këtë, është një lider që ndiqet nga e gjithë skuadra. Sot kërkohen portierë të aftë edhe në përdorimin e këmbëve dhe Strakosha në këtë aspekt është shumë i aftë, përkundrazi, me raste e tepron dhe rrezikon të më bjerë pika…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë