Kombetarja

Suksesi i radhës për kuqezinjtë U-21, dominojnë Uellsin

Pas barazimit me Turqinë, kombëtarja “shpresa” e Alban Bushit ka shkëlqyer sërish. Këtë herë përballë Uellsit në një miqësore të zhvilluar në “Selman Stërmasi” ekipi i U-21 arriti të triumfonte në shifrat 2-1.

Njeriu i momentit në ekipin e Bushit dhe që shumë shpejt mund ta shikojmë edhe në ekipin A, është Armando Broja. Sulmuesi 17-vjeçar ka bërë diferencën edhe në këtë përballje me dopietën e tij, duke i dhënë kombëtares së vogël një fitore të rëndësishme për të mbajtur lart moralin.

Broja u fut në lojë në pjesën e dytë nga Bushi, teksa në pjesën e parë ndeshja u mbyll në barazim 0-0. Pas dy golave të futbollistit që luan me të rinjtë e Chelsea në Angli, erdhi dhe reagimi i miqve uellsian, që shënuan golin e nderit në minutën e 79.

Me këtë ndeshje dhe nivelin e treguar në fushë përballë një rivali shumë të fortë kombëtarja U-21 ka treguar stabilitet dhe siguri për elementët që mund t’ia ofrojë kombëtares së Rejas shumë shpejt.

FORMACIONET ZYRTARE:

Shqipëria U-21: Hoxha (Harizaj 46′), Kryeziu, Shehi, Ndrecka, Kalaj, Shefiti, Bardhi, Kolaj (Mihana 46′), Sula (Broja 46′), Lleshi, Zeka. Trajner: A.Bushi.

Uellsi U-21: Absalom, Ljuis, Dasilva, Pull, Norrington-Devis, Barton, Herris, Brodhed, Babos, Evans, Kuper. Trajner: Robert Pejxh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë