Futboll

Stuhia ndërpret ndeshjen në Durrës, Partizani pëson 2 gola në shtesë

Gazeta Si – Barazim dramatik në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Erzeni dhe Partizani ndanë nga një pikë pas barazimit 3-3, që kënaq shijakasit dhe dëshpëron të kuqtë, sepse deri në minutën e 90-të kryesonin 1-3.

Golit të shpejtë të Nonatos iu përgjigj Tedi Cara me një gjuajtje të bukur nga distanca. Në fund të pjesës së parë Skuka humbi një penallti, duke gjuajtur mbi tra. Rrapaj dhe Skuka në pjesën e dytë shënuan dy gola për Partizanin dhe u duk se të kuqtë e fituan ndeshjen, por në shtesë situata u përmbys.

Shijakasit shkurtuan diferencën në 2-3 fillimisht dhe në fund barazuan me një penallti të akorduar nga VAR-i. Partizani shpërdoron 2 pikë, që në fund mund t’i kushtojnë shumë shtrenjtë. Të kuqtë kryesojnë me 23 pikë, të ndjekur nga Tirana me një pikë më pak dhe me një ndeshje më pak.

Rreth minutës së 70-të një rrebesh shiu pushtoi stadiumin “Niko Dovana”, duke detyruar arbitrin të ndërpresë ndeshjen dhe lojtarët të shkojnë në dhomat e zhveshjes, për t’u rikthyer disa minuta më pas. Ishte një stuhi e vërtetë, e papërballueshme nga lojtarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë