Ngjarje

Studimi në veri të Shqipërisë alarmon Britaninë: 38% e të anketuarve duan të ikin. Frikë për valë të re emigrantësh këtë verë drejt ishullit

Sondazhi i bërë në Shqipëri zbulon se gjysma e të rinjve shqiptarë duan të shkojnë në Britani pavarësisht rreziqeve të kalimit.

Suella Braverman ka paralajmëruar për një valë të re emigrantësh shqiptarë që kalojnë Kanalin këtë verë, pavarësisht gjithë masave të marra nga qeveria britanike për të ulur numrin e emigrantëve që shkojnë në Britani.

Sekretares së Brendshme i është dorëzuar një studim i porositur nga ambasada e Britanisë në Tiranë, që tregon se gjysma e të rinjve duan të kalojnë Kanalin për në Britani këtë verë.

Sondazhi, i bazuar në 1800 familje në Kukës, zona kryesore në Shqipërinë veriore për emigrantët, tregoi se gjysma e të rinjve të moshës 17 dhe 22 vjeç donin të linin vendin e tyre dhe të shkonin në Britani, pavarësisht nga rreziqet e kalimit të Kanalit.

Deklarata e Braverman vjen pasi ajo dhe Rishi Sunak thanë se ka një rënie prej 90 për qind të numrin të emigrantëve shqiptarë pas masave të marra prej tyre. Shifrat kanë rënë nga 2165 në janar deri në qershor 2022, në 151 në pesë muajt e parë të 2023.

Braverman u tha deputetëve se qeveria "nuk ishte e kënaqur" pavarësisht rënies së numrit dhe do të vazhdojë të monitorojë kalimet nga shqiptarët.

Home Office ka intensifikuar goditjen e saj ndaj shqiptarëve në dy muajt e fundit, duke ngritur një njësi prej 400 trupash për të përshpejtuar rreth 17.000 aplikime për azil.

Ata gjithashtu kanë shtrënguar rregullat për skllavërinë moderne mes pretendimeve se është përdorur nga emigrantët shqiptarë për të shmangur dëbimin.

Sondazhi, i kryer nga Swiss Contact dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, zbuloi se në përgjithësi 38 për qind e njerëzve në veri të Shqipërisë, një nga zonat më të varfra, donin të largoheshin.

Nga këta 59 për qind thanë se donin të shkonin në Britani, vetëm 20 për qind zgjodhën Gjermaninë dhe vetëm shtatë për qind Shtetet e Bashkuara. Gati gjysma (47 për qind) e atyre që donin të shkonin në Britani thanë se tashmë kishin të afërm atje.

Një rekord prej 45,700 emigrantësh arritën në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar përmes Kanalit, nga të cilët një e katërta ishin shqiptarë.

Burimi: The Telegraph. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë