Politike

Debati për emigrantët shqiptarë në Britani, Rama kritikon Sunak: Shpiku dramën për përfitime politike!

Kryeministri Edi Rama kritikoi homologun e tij britanik, Rishi Sunak për taktikat me shije të keqe të këtij të fundit lidhur me goditjen ndaj migrantëve shqiptarë, që mbërrijnë ishullin me varka të vogla, shkruan Charles Hymas për ”The Telegraph”.

Kryeministri Edi Rama akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se “ ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, kur tani ata përbëjnë vetëm dy për qind të mbërritjeve të varkave në La Mansh.

Komentet e tij vijnë pasi kryeministri Sunak tha në  fjalimin e tij se plani për të ndaluar anijet që kalojnë La Manshin ka nisur të funksionojë.

Sunak deklaroi të hënën se kalimet me varkë të vogël janë reduktuar me 20%.

”Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike.

Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët,” thotë Rama.

Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat britanikë kur flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve.

Ai sugjeroi që komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë La Manshin me varka të vogla, mund të konsiderohet krim.

Mijëra shqiptarë janë duke u gjurmuar dhe vënë në shënjestër nga oficerët e Home Office për dëbimet.

Një ekip prej 400 personash është ngritur për të gjurmuar shpejt një numër të madh prej 17 000 kërkesash për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të rezultojnë në dëbimin e tyre.

Ministrat besojnë se qasja e re aktive dhe marrëveshjet e reja të dëbimit me Shqipërinë kanë treguar efikasitet te migrantët e mundshëm nga shteti ballkanik.

”Arsyeja që ne po kthejmë shqiptarët është që në radhë të parë të pengojmë njerëzit  e tjerë të vijnë dhe po ia dalim”, thotë ministri i Migracionit, Robert Jenrick, shkruan The Telegraph.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë