Mjedis

Studimi i fizibilitetit mbi Lumin Vjosa: Si do të zhvillohet parku në dy faza

Ndërkohë që në pranverën e 2023 pritet që Lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar, është prezantuar edhe studimi i fizibilitetit, i përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe Organizatat mjedisore.

Studimi i fizibilitetit është rezultat i gjashtë muajve punë në terren dhe analizave të thelluara që ka bërë një ekip prej më shumë se 30 ekspertësh në fusha të ndryshme, të tilla si: eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit në shoqëri dhe mjedis.

Dokumenti fokusohet në mbrojtjen afatgjatë të ekosistemit dhe biodiversitetit të basenit të Vjosës nëpërmjet analizave, rekomandimeve dhe propozimeve të modeleve për të mundësuar menaxhimin mjedisor, si dhe zhvillimin e “turizmit të gjelbër” dhe formave të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në territoret përgjatë Vjosës dhe degëve të saj. Shpallja e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, do të zbatohet në dy faza. Në Fazën I do të përfshihen kanali aktiv i lumit, si dhe disa terrene dhe bimësi lumore brenda kanalit aktiv, të rrezikuara nga përmbytjet ose erozioni, që shtrihen në një gjatësi të përgjithshme prej mbi 400 km. Në Fazën II do të shtohen territoret që përmbyten çdo 30 deri në 50 vjet, si dhe disa toka private, pas konsultimit me palët e përfshira.

Në këtë studim prezantohet krijimi i një koncepti për strukturën e menaxhimit të Parkut, me qëllim që të shërbejë si model edhe për parqet e tjera kombëtare në Shqipëri dhe krijimin e një modeli të ri të mbrojtjes së lumenjve në nivel global.

Gjithashtu është edhe përcaktimi i kufijve për Fazën I të shpalljes së Parkut Kombëtar dhe vizioni për zgjerimin e tij në Fazën II.

Si hap tjetër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të kryejë një seri konsultimesh me publikun në të 12 bashkitë ku shtrihen Vjosa dhe degët e saj me rrjedhje të lirë, përfshirë Vlorën, Tepelenën dhe Gjirokastrën. Për studimin mbështetës dhe propozimin për Fazën I të shpalljes së Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa do të zhvillohen konsultime paralelisht me ministritë dhe agjencitë që kryejnë veprimtari lidhur me këtë fushë. Pas këtyre konsultimeve zyrtare, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të paraqesë në Këshillin e Ministrave një propozim të detajuar për Fazën I për miratim përfundimtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë