Taksa

Studimi i BB: Tirana, 30 taksa ndaj biznesit, mesatarja në rajon 9

Biznesi në Tiranë operon në një mjedis të vështirë, pasi bashkia e kryeqytetit renditet në katër qytetet në rajon që aplikon ngarkesë të lartë fiskale për biznesin. Sipas një studimi të Bankës Botërore për Urbanizimin në Ballkanin Perëndimor thuhet se numri i taksave është ekstremisht i lartë në Tiranë.

“Numri i taksave në disa qytete në rajon është shumë i lartë. Beogradi, Sarajeva, Tirana dhe Zagrebi aplikojnë më shumë se 30 taksa ndaj biznesit, ndërsa mesatarja rajonale ku përfshihen edhe qytete të tjera të mëdha është 9 taksa dhe mesatarja e Rajonit të ECA është 16 taksa” thuhet në studim.

Studimi rekomandon se qytetet-kryeqytete duhet të riorientohen për të ulur taksat dhe për t’u përqendruar në administrimin e tyre.

Sugjerohet që bashkitë në këto qytete, ku përfshihet edhe Tirana, të ngrenë sisteme auditi dhe inspektimi, nëse të gjithë janë duke paguar taksat që u takojnë dhe në këtë mënyrë të zgjerojnë bazën e tatimpaguesve dhe të ulin barrën fiskale.

Reformimi i mjedisit të biznesit ndoshta është detyra më e vështirë që këto bashki kanë. Më tej studimi thotë se Beogradi është i vetmi qytet-kryeqytet në rajon që ka një model ekonomik zhvillimi të qëndrueshëm.

Ndërsa Tirana e ka modelin e zhvillimit të bazuar në industrinë e fasone, e cila ka 20 vite e më shumë që nuk po avancon, duke mbetur e fundit në zinxhirin e vlerës së shtuar. Gjithashtu banka vë në dukje se, Tirana nuk ka mundur të ketë një qasje ndaj teknologjisë dhe informacionit.

Për të përshpejtuar rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, Ballkani Perëndimor dhe Kroacia kanë nevojë për një rritje më të shpejtë ekonomike, e gjeneruar nga industri dhe shërbime të përparuara që përqendrohen në qytete. Rritja e konkurrueshmërisë së kryeqyteteve do të jetë promotori i rritjes së punësimit në rajon.

Aderimi në BE, ndryshimet teknologjike dhe globalizimi ka shumë gjasa të krijojnë mundësi zhvillimi që favorizojnë qytetet dhe ekonomitë e tyre. Por se nëse këto tendenca lihen të pakontrolluara mund të prodhojnë pabarazi në rritje, thuhet ne studim.

Marrë nga Revista Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë