Keshilla

Studimi: Edukimi i prindërve ul varësinë e fëmijëve nga rrjetet sociale

Nga Gazeta ‘Si’- Edukimi i prindërve për përdorimin e teknologjisë është një nga mënyrat më efektive për të ulur kohën që fëmijët kalojnë para ekraneve.

Ky është përfundimi i një analize sistematike të publikuar në vitin 2025 në revistën JMIR Pediatrics and Parenting, e cila tregon se kur prindërit informohen mbi edukimin digjital, reduktohet përdorimi i pajisjeve elektronike jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga vetë të rriturit.

Gjetjet vijnë në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po vendosin kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.

Australia ka hyrë në histori si vendi i parë që ndalon krijimin e profileve në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar se do të ndjekë të njëjtën rrugë.

Në Australi, përgjegjësia për verifikimin e moshës u është lënë platformave si TikTok, Instagram dhe YouTube. Ato rrezikojnë gjoba deri në 60 milionë euro nëse nuk marrin masa të mjaftueshme për të identifikuar përdoruesit nën moshën e lejuar.

Verifikimi bazohet në analizën e sjelljes së përdoruesit, njohjen e fytyrës dhe, në rastet e nevojshme, kërkesën për dokument identiteti.

Megjithëse teknologjia e njohjes së fytyrës është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, testet tregojnë se sistemi nuk është ende i pagabueshëm. Sipas një prove të realizuar nga kompania KJR dhe të raportuar nga Reuters, kontrollet nuk u aktivizuan në asnjë prej 50 llogarive të rreme të krijuara për testim, edhe pse ato deklaronin një moshë që duhej të verifikohej.

Ekspertët theksojnë se sfida nuk është vetëm teknologjike, por edhe lidhet me gatishmërinë e platformave për të zbatuar me seriozitet rregullat.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po punon për një sistem verifikimi të moshës përmes identitetit dixhital, i cili do të ruajë privatësinë e përdoruesve. Italia është ndër vendet e para që po teston këtë model, i cili në të ardhmen mund të përdoret edhe për aksesin në rrjetet sociale.

Deri në krijimin e një sistemi të unifikuar, specialistët rekomandojnë që prindërit të përdorin funksionet parental control të disponueshme në pajisjet iPhone dhe Android, të cilat lejojnë kufizimin e kohës së përdorimit të telefonit dhe kontrollin e aplikacioneve. Sipas studiuesve, komunikimi dhe edukimi i vazhdueshëm i fëmijëve mbeten mbrojtja më e fortë përballë rreziqeve të botës digjitale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë