Nga Gazeta ‘Si’- Një studim i Bankës së Shqipërisë tregon se ndikimi i kursit të këmbimit te inflacioni nuk ka qenë edhe aq i fortë. Sipas përllogaritjeve, forcimi i lekut nuk mundet të amortizojë çmimet e rritura gjatë dobësimit e tij, pra kur inflacioni është i lartë.
Analiza mbulon periudhën 2002–2024 dhe bazohet në të dhëna mujore nga INSTAT dhe Banka e Shqipërisë. Përveç kursit të këmbimit, në model janë përfshirë edhe faktorë si norma bazë e interesit, inflacioni i importuar, çmimi i naftës, aktiviteti ekonomik dhe oferta monetare.
Sipas autorëve, kur inflacioni është i ulët, luhatjet e kursit të këmbimit kanë ndikim të kufizuar mbi çmimet. Megjithatë, kur inflacioni rritet, nënçmimi i lekut përkthehet në presione shumë më të forta inflacioniste, ndërsa mbiçmimi i monedhës vendase ka efekt minimal në uljen e çmimeve.
Studimi vëren gjithashtu se ndikimi i inflacionit të importuar dhe i kursit të këmbimit bëhet më i fortë në periudha me inflacion të lartë. Në të njëjtën kohë, politika monetare e Bankës së Shqipërisë rezulton efektive në kontrollin e inflacionit në të gjitha nivelet e tij.
Në përfundim, autorët theksojnë se marrëdhënia mes kursit të këmbimit dhe inflacionit është asimetrike: zhvlerësimi i lekut ka ndikim shumë më të madh në rritjen e çmimeve sesa forcimi i tij në uljen e tyre. Për këtë arsye, ata sugjerojnë që kjo sjellje të merret në konsideratë në hartimin e politikës monetare dhe në vlerësimin e rreziqeve inflacioniste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje