Ushqim

Studimi/ Dieta mesdhetare përmirëson simptomat e depresionit te të rinjtë meshkuj

Fotografi ilustruese e produkteve që përmban dieta mesdhetare

"Depresioni është një gjendje e zakonshme e shëndetit mendor që prek 1 në 8 meshkuj çdo vit, veçanërisht të rinjtë", tha Jessica Bayes nga Universiteti i Sidnei.

Ajo shton se dieta mesdhetare mund të jetë e dobishme në trajtimin e depresionit.

Për të vlerësuar efektin e një ndërhyrjeje të dietës mesdhetare në trajtimin e depresionit tek meshkujt e rinj (18-25 vjeç), studiuesit kryen një provë kontrolli 12-javore, në grupe paralele të rastësishme.

“Ata meshkuj që u caktuan në dietën mesdhetare ishin në gjendje të ndryshonin ndjeshëm dietën e tyre origjinale, nën drejtimin e një dietologu, brenda një periudhe të shkurtër kohore”.

Kështu, Bayer thotë se mjekët dhe psikologët duhet të marrin në konsideratë referimin e të rinjve me depresion tek një nutricionist ose dietolog si një komponent i rëndësishëm i trajtimit të depresionit klinik.

Dieta e përdorur në studim ishte e pasur me perime shumëngjyrëshe, bishtajore dhe drithëra, peshk, vaj ulliri dhe arra të papërpunuara.

“Fokusi primar ishte në rritjen e cilësisë së dietës me ushqime të freskëta të plota, duke reduktuar marrjen e ushqimeve ‘të shpejta’, sheqerit dhe mishit të kuq të përpunuar”, tha Bayes.

"Ka shumë arsye pse shkencërisht mendojmë se ushqimi ndikon në humor", shtoi ajo.

Për shembull, rreth 90% e serotoninës, një kimikat që na ndihmon të ndihemi të lumtur, prodhohet në zorrën tonë nga mikrobet tona. Ka prova që këto mikrobe mund të komunikojnë me trurin nëpërmjet nervit vagus, në atë që quhet bosht zorrë-tru.

"Për të pasur mikrobe të dobishme, ne duhet t'i ushqejmë me fibra, të cilat gjenden në bishtajore, fruta dhe perime".

Gjetjet u botuan në The American Journal of Clinical Nutrition.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë