Ngjarje

Protesta e studentëve të Mjekësisë: Bojkot po s’u anulua nisma e qeverisë (foto, video)

Nga Gazeta Si- Studentët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës në shenjë kundërshtie për vendimin e qeverisë që ndalon studentët e Mjekësisë të largohen për të punuar jashtë për 5 vite.

Nisur nga rektorati i Universitetit të Mjekësisë, studentët marshuan drejt kuvendit. Teksa arritën para kuvendit, ku dhe po debatohej për projektligjin, studentët njoftuan se nëse nuk anulohet nisma, ato do të bojkotojnë vitin e ri akademik që nis në tetor.

LEXO EDHE:
Studentët e Mjekësisë që nisin sivjet shkollën, duhet të punojnë 5 vite këtu që t'u jepet diploma! Rama: S'keni zgjidhje tjetër

“Është vendim antikushtetues. Është prerje në besë për ne. Duhet të na pyesnin dhe ne. Ne do të vazhdojmë me protestat, do të bojkotojmë vitin akademik. Me pak fjalë nuk do të ketë me mjekë të rinj. Unë do të detyrohem që të qëndrojë 3 vite në Shqipëri. Nuk dua të largohem nga vendi, por jam kundra detyrimit që shteti do të vendosë për mua”, tha një student për median.

Me megafon në dorë, një studente tha se qeveria e ka të domosdoshme të krijojë kushte që mjekët të qëndrojnë.

“Nuk është strategji të mbash mjekët duke i mbajtur peng diplomën. Ne na mbajnë prindërit tanë, për taksat të përgjigjet shteti ku shkojnë”, tha ajo.

Kjo është protesta e tretë e studentëve e të mjekësisë në lidhje me projektligjin që i detyron të firmosin një kontratë në fillim të vitit të ri akademik. Nëse studentët nuk pranojnë të firmosin kontratën, do të paguajnë tarifën e plotë që akoma nuk është bërë publike nga qeveria. Të vetmit që përjashtohen nga tarifa janë studentët e vitit të parë të cilët nuk kanë zgjidhje përveç se të firmosin qëndrimin për 5 vite në Shqipëri që më pas të marrin diplomën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë