Politike

Ligji i qeverisë për studentët e mjekësisë që i mban 5 vjet në Shqipëri do të kalojë me procedurë të përshpejtuar

Nga Gazeta Si- Projektligji për punësimin e studentëve të Mjekësisë për deri në 5 vite në vend pas përfundimit të studimeve, është votuar në parlament për të kaluar me procedurë të përshpejtuar.

Me 64 vota pro dhe 24 vota kundër, deputetët kanë votuar që ky projektligj të diskutohet me procedurë të përshpejtuar në Komisionin e edukimit.

Miratimi i këtij projektligji ka krijuar edhe debate në Parlament.

Deputetje Jorida Tabaku tha se më në fund qeveria po e pranon se ka një situatë dramatike por kjo nuk ndryshohet me forcë.

“Sot universitetet publike janë në situatën e tyre më të keqe. Këto reforma me forcë janë të destinuara të dështojnë. Ju me forcë mund ta miratoni edhe pas 2 javësh, ne kërkojmë që ky diskutim të zgjasë në kohë, seanca e fundit parlamentare pas 2 javësh është tashmë shumë e ngarkuar. Ky ligj ka nevojë të diskutohet gjerësisht sepse ndryshon sistemin”, tha Tabaku.

Ndërsa socialisti Taulant Balla replikoi duke thënë se ata që nuk do të pranojnë këtë marrëveshje, “është shumë e thjeshtë, do të paguajnë detyrimin sepse është detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, është investim për të ardhmen”.

Deputetja Flutura Açka tha se sipas kushtetutës, qeveria duhet ti japë të drejtën qytetarëve të bëjnë jetën e tyre si të duan, të zgjedhin.

“Ti përmirëso Shqipërinë dhe nuk kanë nevojë të ikin ata”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë