Komunitet

Studentët do të marrin mbrapsht paratë e konvikteve

Studentët që janë regjistruar në konviktet dhe kanë paguar tarifën vjetore të regjistrimit para se të vendosej zhvillimi i mësimit online, do të marrin mbrapsht paratë e tyre.

Ky është premtimi i bërë nga Kryeministri Edi Rama, që komentoi protestën e studentëve kundër mësimit online dhe kërkesën e tyre për të marrë mbrapsht paratë e shpenzuara për strehim.

“Natyrisht që tarifat e paguara për konviktet do të mbahen për muajt e tjerë nëse do të vijnë në konvikt, ose do ju kthehen, se nuk është hotel privat dhe nuk ka asnjë problem”, tha Rama.

Kryeministri nuk foli për kategorinë e studentëve që kanë paguar qiratë, por tha se “kjo është situatë lufte dhe nuk mund të bëhet një plan afatgjatë”.

“Sot që flasim, rreth e rrotull bëhet online, ne nuk e kemi ndaluar mësimin, por që mësimi do të bëhet në distancë. të rinjtë transmetojnë COVID-in, se shumica janë asimptomatik dhe se nuk janë të prirur të respektojnë rregullat dhe marrin qafë njerëzit më vulnerabël në familje dhe por ajo që është e sigurt që nuk po bëjmë asgjë të veçantë nga sa bëjnë të tjerët”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë