Futboll

Strakosha pret penallti dhe uron Rejan: Paç fat, shihemi shpejt!

Mbrëmje e bukur për Tomas Strakoshën, portierin shqiptar të Lacios, që priti një penallti në ndeshjen me Udinezen, ndërsa në Kombëtare rigjen ish-trajnerin e tij, Edi Reja. Skuadra e tij fitoi 2-0 në kampionat dhe tashmë shpreson shumë për Championsin, që është vetëm 3 pikë larg. Strakosha, në prononcimet pas ndeshjes, i ka uruar fat në stolin kuqezi trajnerit Edi Reja, të cilin e njeh shumë mirë.

Me golin e Kaisedos dhe autogolin e Sandros, Lacio mundi 2-0 Udinezen, duke u njgitur në kuotën e 52 pikëve. Një fitore që e mban këtë skuadër sërish në vend të 7-të, por me mundësi reale jo vetëm për Europa League, që është vetëm një pikë larg, por edhe për vendin e 4-t, që mbahet nga Milani me 3 pikë diferencë. Protagonist i ndeshjes ishte edhe portieri i Kombëtares, Tomas Strakosha, i cili priti një penallti në minutën e 51-të, duke prerë shpresat e Udinezes për të marrë pikë në “Olimpico”. Portieri kuqezi reagoi mjaft mirë ndaj gjuajtjes së De Paul, duke kuptuar krahun dhe me reflekset e tij e largoi topin nga kuadrati. Një pritje që qetësoi trajnerin Inzagi, pasi ishte fillimi i pjesës së dytë dhe nëse rezultati ngushtohej, gjithçka mund të bëhej e vështirë për Lacion. Strakosha ishte një nga tre lojtarët më të vlerësuar për Lacion në këtë ndeshje. Bashkë me sulmuesin Kaisedo dhe mesfushorin Lukas Leiva, ai është vlerësuar me notën 7. “Më shumë se një penallti e humbur nga De Paul, ishte një penallti e pritur nga Strakosha”, - shkruante shtypi italian.

Strakosha pret penalltinë e De Paul

Pas ndeshjes, portieri i Lacios dhe Kombëtares kuqezi, u shpreh për “Sky Sport”: “Udineze ka një skuadër të mirë, e dinim, por e treguam se e merituam fitoren. Falë Zotit, penalltia nuk u shënua gol dhe mund të flemë të qetë. Në pjesën e dytë ishim më të qetë në lojë dhe gjithçka shkoi mirë. Objektivat janë të qartë për këtë sezon dhe duhet të fitojmë në çdo ndeshje”. Kurse për “Lazio Style Channel”, portieri kuqezi, përveçse për fitoren, foli dhe për emërimin e Edi Rejas në stolin e Kombëtares: “Për fat të mirë, arritëm një fitore, që na mungonte. Dëshirën për fitore e kemi gjithmonë, por ndodh që ndonjëherë të mos marrësh rezultatin që dëshiron. Tani kanë rëndësi faktet dhe duhet t’i lëmë mënjanë fjalët dhe të flasim në fushë. Penalltia? I studiojmë gjithmonë sulmuesit para ndeshjeve dhe për fat e prita penalltinë. E fituam ndeshjen me meritë, ata nuk gjuajtën asnjëherë në portë. Reja trajneri i Shqipërisë? I uroj fat dhe do të shihemi shpejt (qesh). Gjatë ndeshjeve jam i përqendruar deri në minutën e fundit. Kohët e fundit kemi qenë pa fat, por shpresoj që tani fati të jetë kthyer në anën tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë