Futboll

Strakosha pa fat, një dëmtim në kavilje do ta mbajë jashtë për disa javë

Gazeta Si – Aventura e Tomas Strakoshës në Premier Ligën që ai e donte aq shumë nuk po shkon dhe aq mirë. Portieri i Kombëtares shqiptare nuk është aktivizuar titullar me Brentfordin, ndërsa tani planet e tij i ka prishur një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave për disa javë.

Portieri 27-vjeçar ka dëmtuar ligamentin e kaviljes, teksa priste penalltitë e shokëve të skuadrës. Është një dëmtim serioz dhe me shumë mundësi Strakosha do të jetë në dispozicion të skuadrës në 2023-shin. Kjo do të thotë se do të mungojë edhe në miqësoret e Kombëtares në muajt tetor-nëntor.

Strakosha me fanellen e Brentfordit. Gazeta Si, 15 tetor 2022

Strakosha la Lacion në verë dhe firmosi me Brentfordin. Kur pritej që ai te merrte më shumë minuta, ka ardhur ky dëmtim që prish jo pak punë. Brentfordi ka thirrur 19-vjeçarin Methju Koks për ta pasur si zëvendësues të titullarit Raja.

Kohët e fundit shumë lojtarë të Kombëtares kanë pasur dëmtime. Berat Gjimshiti dhe Keidi Bare sapo janë rikthyer nga dëmtimet, ndërsa Marash Kumbulla dhe Frederik Veseli vazhdojnë të qëndrojnë jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë