Futboll

Strakosha pa fat në derbin e shtyllave, Balaj shkëlqen me dy gola në Austri

Derbi Lacio-Roma është mbyllur në barazim 1-1. Ndeshja e vlefshme për javën e dytë të Serisë A, nuk ka nxjerrë fitues. Tomas Strakosha, portieri i Kombëtares, ishte titullar me Lacion dhe pas 17 minutash pësoi gol nga pika e bardhë e penalltisë, duke mos e ndalur dot gjuajtjen e Aleksandër Kolarov. Gjithsesi, ishte një paraqitje e mirë për portierin kuqezi, një pikë referimi e Lacios. Skuadra e tij ishte pa fat në kë ndeshje, ku u goditën 6 herë shtyllat, 4 herë nga Lacio dhe 2 herë nga Roma.

Lacio reagoi mirë dhe arriti t’i barazonte shifrat në pjesën e dytë me spanjollin Luis Alberto. Jo vetëm kaq, pasi skuadra e Strakoshës dhe Tares ishte shumë pranë fitores. Katër minuta para fundit, Parolo goditi traversën e portës së Romës, kurse Korreas iu anulua një gol në fund për pozicion jashtë loje. Pas këtij barazimi, Lacio mban për momentin vendin e dytë, me 4 pikë, pas Juventusit që ka pikë të plota. Duket një sezon premtues për këtë skuadër, që në gjirin e saj ka gjithmonë lojtarë shqiptarë.

Balaj feston një nga golat e fitores për Shturmin. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Një fundjavë e bukur ishte kjo për sulmuesin kryesor të Kombëtares, Bekim Balajn, i cili i dha fitoren Shturmit në Austri me dy golat e tij. Futbollisti shkodran shënoi nga një gol në çdo pjesë në transfertën me Altah, që përfundoi 1-2. Pas 6 javësh kampionat, Shturmi mban vendin e 4-t me 12 pikë, ndërsa Balaj është bërë menjëherë protagonist me këtë skuadër, ku u transferua vetëm para pak kohësh nga Rusia. Vendimtar ishte sot një tjetër kuqezi, Ermir Lenjani në Zvicër, i cili i dha fitoren Sionit në fushën e Thunit, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes në pjesën e parë. Kështu, kuqezinjtë vijnë në formë të mirë në grumbullimin e Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë