Kombetarja

Strakosha kthehet nga dëmtimi, lajm i mirë për Inzagin dhe Rejën

Një rikthim shumë i rëndësishëm për Lacion. Tomas Strakosha, portieri i këtij ekipi dhe Kombëtares Shqiptare, ka lënë pas dëmtimin dhe është kthyer në fushë, ku ka treguar një formë të shkëlqyer. Strakosha ka marrë pjesë në ndeshjen e kontrollit, saktësisht ka luajtur 30 minuta, por për trajnerin Inzagi ishte shumë e rëndësishme që ta kishte sërish nën urdhrat e tij.

Portieri kuqezi, - i cili tashmë ka ngritur edhe një padi ndaj Masimo Brambatit (ish-futbollist italian) që e akuzonte se ishte i infektuar me Kovid-19 dhe së bënte si i dëmtuar, - pësoi vetëm një gol nga Luis Alberto. Për pjesën tjetër ai u duk në nivelin e mëparshëm, me reflekse të shpejta dhe i sigurt, duke i hequr një ankth të madh trajnerit Inzagi në prag të rifillimit të kampionatit.

Strakosha sot në stërvitje. Gazeta Si, 6 qershor 2020

Ndeshja e kontrollit përfundoi me rezultatin 4-4 dhe paraqitja e Strakoshës për aq sa luajti, ishte mjaft e mirë, duke ditur që ai vjen nga një dëmtim. Portieri shqiptar ka pasur një shqetësim muskulor që tashmë e ka kaluar plotësisht dhe pritet të jetë titullar që në ndeshjen me Atalantën, e para pas ndërprerjes së gjatë të kampionatit. Rikthimi i tij ka rëndësi si për Lacion, ashtu edhe për trajnerin Edi Reja të Kombëtares shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë