Futboll

Strakosha fiton derbin me Veselin, Lacio i afrohet Championsit

Është gardiani Tomas Strakosha, fituesi i derbit të shqiptarëve në Serinë A në përballjen mes Lacios dhe Empolit. Portieri kuqezi ka dalë i fituar në shifrat 1-0, duke e mbajtur portën e tij të paprekur, përballë Empolit të Frederik Veselit. Të dy futbollistët e kombëtares kuqezi kanë luajtur për 90 minuta në këtë ndeshje të parë të javës së 23-të të elitës italiane të futbollit.

Në fakt që nga minuta e parë në fushën e “Olimpico” ishin tre futbollistë shqiptarë, pasi për Lacion luajti edhe Valon Berisha, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën. Ishte një ndeshje që në pjesën e saj më të madhe foli për vendasit, që dëshironin ta fitonin me çdo kusht, pas disa rezultateve jo pozitive në javët e fundit. Goli për ekipin e Inzagit erdhi në minutën e 42’ nga Kaisedo, që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Në pjesën e dytë Empoli provoi të reagonte, por nuk e kishte forcën e duhur për të rrezikuar portën e mbrojtur nga Tomas Strakosha. Të tre futbollistët shqiptarë janë vlerësuar me nota pozitive nga mediet italiane. Ndërkohë pas formës së mirë të Gjimshitit të Atalanta, këto 90 minuta pozitive nga Veseli janë një mesazh shumë i mirë për trajnerin e kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi në prag të fillimit të eliminatoreve të kampionatit europian që startojnë në mars.

 

Më Shumë