Futboll

Strakosha ende i çorientuar, Cikalleshi 4 gola brenda 2 javësh

Sokol Cikalleshi po shijon momentin. Pas dy golave të shënuar me fanellën e Kombëtares, ndaj Francës dhe Islandës, sulmuesi kavajas ka shënuar në dy ndeshje radhazi në Turqi me skuadrën e tij, Akhisasporin, në ligën e dytë. Një javë më parë “bomberi” realizoi me penallti ndaj skuadrës së portierit Gentian Selmani, kurse dje shënoi në fitoren 3-1 ndaj Hatajsporit.

Akhisaspori po vuante për të ruajtur avantazhin 2-1 dhe në kohën shtesë Cikalleshi “vulosi” gjithçka me një veprim të bukur teknik brenda zonës. Sulmuesi kuqezi luajti titullar, ndërsa skuadra e tij qëndron në pozita kryesuese me 10 pikë pas 5 javësh kampionat. Ishte goli i 4-t për Cikalleshin brenda dy javësh, ku ai ka luajtur në 4 ndeshje, 2 me Kombëtaren dhe 2 me Akhisasporin.

Tomas Strakosha gjatë ndeshjes me Parmën. Gazeta Si, 23 shtator 2019  

Në Itali, Tomas Strakosha dhe Berat Gjimshiti luajtën nga 90 minuta me skuadrat e tyre. Portieri i Lacios nuk ishte në lartësinë e duhur edhe në fitoren 2-0 ndaj Parmës së Kastriot Dermakut. Strakosha, ashtu si në Ligën e Europës, ku bëri disa gabime, edhe ndaj Parmës nuk ishte shumë i kthjellët, por fati i tij ishte që Lacio nuk pësoi gol mbrëmjen e së dielës. Dermaku e ndoqi ndeshjen nga stoli. Një ndeshje të mirë ka zhvilluar Gjimshiti në barazimin 2-2 ndaj Fiorentinës. Mbrojtësi kuqezi bëri mirë detyrën e tij, duke mbuluar zonën e vet dhe duke luftuar fort në ajër. Elseid Hysaj, i rikthyer nga dëmtimi, qëndroi në stol në fitoren 1-t të Napolit ndaj Leçes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë