Gazeta Si – Tomas Strakosha në Premier Ligë. ‘Sirenat’ angleze për portierin kuqezi kanë rënë edhe më parë, por duket se ka ardhur koha për transferimin në kampionatin më të fortë europian. Ndarja me Lacion është shumë pranë.
Portieri kuqezi është në fund të kontratës me Lacion dhe ka vendosur të mos rinovojë. Strakosha synon të provojë një eksperierncë në futbollin anglez dhe sipas shtypit italian, më afër tij është Fulhemi. Akordi mes palëve është shumë afër.

Në anën tjetër, Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ka shtuar përpjekjet për të gjetur zëvendesuesin e tij. Strakosha dhe Reina do të largohen që të dy, kështu që Tare po tenton një portier me përvojë. I preferuari i tij është Rico, në pronësi të PSG-së.
Fulhemi sapo është kthyer në Premier Ligë dhe po kërkon përforcime. Strakosha është kandidati kryesor për portën dhe zyrtarizimi duket vetëm çështje kohe. Portieri 27-vjeçar prej kohësh e ka shprehur dëshirën për t’u tranefruar në Angli. Dhe ja ku erdhi momenti për t’u bërë ‘londinez’.
Bisedimet për rinovimin me Lacion mbetën pezull që sezonin e kaluar, kur portieri kuqezi humbi vendin e titullarit. U kthye titullar, por shpesh Sarri ka preferuar edhe Reinën. Kohët e fundit u duk sikur palët do ta zgjasnin bashkëpunimin, por nuk është kështu.

Strakosha, i lançuar nga Simone Inzagi në 2016-ën, preferoi largimin. Për të luajtur në Angli, ku do të gjejë një kuqezi tjetër, Armando Brojën. Më parë këtë kampionat e ka provuar edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, i aktivizuar me Sanderlendin.
Për portën kuqezi nuk ka asnjë merak. Përveç Strakoshës dhe Berishës, janë edhe disa emra të tjerë të denjë për të, si Selmani, Kastrati, apo edhe Simoni i Kombëtares U-21.
Pak muaj më parë, Strakosha u përmend nga shtypi britanik edhe si një përforcim i mundshëm i Njukasëllit. Po ashtu, emri i tij doli në skenë edhe në merkaton e Liverpulit pak sezone më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.