Futboll

Strakosha drejt Anglisë, gjigantët e Premier Ligës ofrojnë 40 milionë euro

Tomas Strakosha këtë sezon ka qenë në një formë të shkëlqyer në portën e Lacios. Gardiani kuqezi përkundër problemeve që ka pasur në kombëtare, me Lacion ka shkëlqyer, duke merituar plotësisht vlerësimin si një nga portierët më të mirë në Serinë A për këtë sezon. Kjo paraqitje e portierit 24-vjeçar nuk është anashkaluar nga disa prej klubeve më të mëdha të Europës, që po e monitorojnë atë me shume kujdes.

Që në verën e shkuar ka pasur zëra për të se pëlqehej nga disa ekipe të mëdha në Premier Ligë. Por këtë herë është tabloidi britanik, “The Sun” që flet konkretisht. Sipas kësaj gazete angleze është Totenhami skuadra më e interesuar për të marrë shërbimet e Tomas Strakoshës. Sipas saj, klubi londinez është në kërkim të një zëvendësuesi të denjë të Hugo Loris, që duket i destinuar për t’u laruar nga “gjelat”. Agjentët e Totenhamit e kanë vëzhguar Strakoshën në më shumë se 24 ndeshje në stadium, por edhe përmes ekranit dhe janë bindur për aftësitë e tij. Çmimi që llogaritet të investohet për portierin shqiptar shkon në mbi 40 milionë euro, për të kënaqur kështu edhe dëshirën e Lacios, që e ka kuptuar se ka një xhevahir në duar dhe dëshiron të dalë sa më e fituar financiarisht.

Sipas “The Sun” interesimi për Strakoshën u rrit akoma dhe më tepër pas gafës që Loris bëri në ndeshjen e fundit, që i kushtoi Totenhamit humbjen në sfidën me Liverpulin. Por trajneri argjentinas i Totenhamit, Mauricio Poketino nuk ka treguar asnjë shenjë distancimi me portierin kampion botë, Hugo Loris. “Ne gjithmonë flasim pasi ndodhin gjërat. Kur dikush bën një gabim fatal në fundin e ndeshjes, unë mendoj se nuk është paaftësi, por fatkeqësi. Nuk ka dyshime, që Hugo është një nga më të mirët dhe ai do të vazhdojë të jetë në portën tonë. Ishte një situatë e sikletshme, pasi ne merituam më shumë nga ajo ndeshje, por duhet të jemi të fortë për t’u rikthyer që të luftojmë për objektivat tonë.”- tha Poketino.

Gjithsesi këto fjalë të trajnerit të Totenhamit që mbrojnë portierin Loris, nuk do të thonë domosdoshmërisht se gardiani francez do të konfirmohet në verë. Gjithsesi do të mbetet për t’u parë deri në hapjen e merkatos, pasi për Tomas Strakoshën, më herët kanë shfaqur interesim edhe disa klube të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë