Futboll

Strakosha dhe Açerbi bllokojnë Piatek, Milani e Lacio ndahen në paqe

Pritej një ndeshje spektakolare dhe me gola, por në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë mes Milanit dhe Lacios ka mbizotëruar taktika dhe llogaritjet. Sfida e luajtur në “Olimpico” nuk ka prodhuar gola edhe pse rastet nga të dyja krahët nuk munguan. Piatek nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës këtë herë, për meritë edhe të portierit shqiptar, Strakosha por edhe të mbrojtësit me eksperiencë, Açerbi.

Për Lacion barazimi pa gola ishte një rezultat që u kërkua përballë një Milani që dukej i papërmbajtshëm dhe që tre javët e fundit në Serinë A ka shënuar 9 gola. Piatek provoi në të gjitha format, por fortesa që kishte ngritur Inzagi ishte e pakalueshme me dy liderët Strakosha dhe Açerbi. Për Milanin nga ana tjetër barazimi pa gola në fushën kundërshtare nuk është rezultati ideal, por gjithsesi lë hapësirë për të bërë më mirë.

Milan do të ketë një problem më shumë në ndeshjen e kthimit, pasi do i duhet të shënojë me çdo kusht, por edhe të kujdeset që të mos pësojë, pasi një gol mund të rezultonte fatal. Ndeshja e kthimit do të luhet në “San Siro”, pas plot dy muajsh. Sakaq përballja tjetër gjysmëfinale e Kupësë së Italisë mes Fiorentinës dhe Atalantës do të luhet mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke filluar nga ora 21:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë