Futboll

Stoli që peshon, çfarë fshihet pas përjashtimit të Leaos nga formacioni!

Gazeta Si – Portugezi mbeti jashtë për të dytën herë radhazi, ndërsa kur u fut në fushë në derbi nxori Zhiru para portës. Pioli nuk bëhet pishman për zgjedhjen e tij.

Aksionin më të rrezikshëm të ndeshje për Milanin e bëri ai, ndaj dhe pyetja e gjithë popullit milanist, nervoz për zgjedhjen e Piolit, është: Pse Leao ishte mes 13 lojtarëve të stolit, ndërkohë që duhej të ishte mes 11 titullarëve? Një situatë që shton presionin mbi trajnerin e Milanit.

Leao gjatë derbit. Gazeta Si, 6 shkurt 2023

“Zgjodha të luaja me dy sulmues afër njëri-tjetrit dhe për këto karakteristika besoj se Origi dhe Zhiru janë më mirë. Rafa do të jetë më i dobishëm gjatë zhvillimit të ndeshjes”, - kishte thënë trajneri Pioli pak minuta para startit të derbit. Një vendim taktik, edhe pse këto ditë në Milanelo ka zëra për probleme të karakterit fizik të lojtarit.

Rafael Leao është ‘pa bateri’ për momentin, por arsyetimi që bëjnë të gjithë është vetëm ky: një si Leao duhet të luajë gjithmonë në derbi, edhe me një këmbë.

Derbi ishte ndeshja e dytë radhazi pa Leaon titullar, pas Sasuolos. Dhe këtu situata komplikohet, sepse ky Milan që vuan humb edhe më shumë lojtarë që mund ta zgjidhin një ndeshje. Lojtarë që shpikin diçka nga hiçi.

Mjafton të mendosh për krizën e Tonali, që tani po humb edhe pasimet elementare, apo për Hernandez, që prej disa javësh është një mister. Apo edhe për Zhiru, që u kthye copë-copë nga Botërori dhe nuk po arrin të stopojë një top të thjeshtë në zonë, duke shpërdoruar të vetmin aksion të vërtetë sulmues.

Po, pikërisht atë aksion që krijuar nga Leao. Gjëra që deri pak muaj më parë ishin normale për t’u parë dhe që tani numërohen me gishtat e njërës dorë. Portugezi u fut në fushë dhe kushedi çfarë mendonte në atë moment. Ndoshta për një trajner, me të cilin nuk është më në sintoni si më parë, ose ndoshta për një Milan që ngre dyshime për të ardhmen.

Leao mori karton për faullin ndaj Barelës, u kërkoi Teos dhe Tonali ta shërbenin, nxori Zhiru përballë portës në një ndeshje, ku Milani luajti vetëm 20 minuta nga fundi. Pjesa e parë ishte shumë zhgënjyese. Leao nuk është në formën më të mirë, por vështirë të mendosh që nuk do të ishte i dobishëm në pjesën e parë.

Stefano pioli, trajneri i Milanit, në derbi. Gazeta Si, 6 shkurt 2023

Në fund Pioli mbrojti vendimin e tij: “Leao ka potencial të madh. Zgjedhja me dy sulmues afër ishte për të vënë në vështirësi mbrojtjen e Interit. Rafa duhet të jetë aktiv gjatë gjithë ndeshjes, besojmë shumë tek ai. Zgjedhja që bëra ishte më e mira për atë që kisha parë gjatë javës. Ai nuk ka karakteristikat për dy sulmues afër në pozicion vertikal”.

Trajneri i Milanit e kishte menduar prej ditësh lënien në stol të Leaos. Problemi më i madh te kuqezinjtë ka të bëjë me alternativat. Paraqitja e Origit tregoi se ai nuk është gati të luajë titullar. Pavarësisht sistemit të lojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë