Kombetarja

Stoli i kombëtares, jo Zakeroni, por një tjetër italian takohet me Dukën

Dilema se kush do e marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit është më e madhe se kurrë. Çdo ditë në mediet shqiptare, por edhe të huaja qarkullojnë emra të trajnerëve që mund të ulen në drejtimin e ekipit kuqezi. Ditën e shtunë u bë e sigurt ulja e Alberto Zakeronit në pankinën kuqezi nga disa medie në vendin tonë, ndërsa sot ka ardhur kundërpërgjigja nga përtej Adriatikut.

Mediet italiane e bëjnë të sigurt një tjetër Italian në drejtimin e kombëtares sonë. Bëhet fjalë për emrin e parë që u përfol pas largimit të Panuçit, Edi Reja. Trajneri veteran që për momentin është pa ekip mësohet se është takuar gjatë ditës së shtunë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Pra, sipas radio “kis kis” në Itali, Duka gjatë udhëtimit të tij në Itali nuk është takuar me Alberto Zakeronin siç u shkruajt të shtunën, por me Edi Rejan. Mes teknikut Italian dhe kreut të futbollit shqiptar kishte pasur një takim edhe gjatë ndeshjes Shqipëri-Turqi në Shkodër. Sipas këtyre lajmeve që vijnë nga Italia, Reja është i sigurt në drejtimin e Shqipërisë dhe brenda pak ditësh pritet zyrtarizimi i tij.

Gjithsesi edhe për këtë lajm duhet pritur, pasi ende nuk ka asnjë konfirmim nga ana e FSHF-së dhe mbetet për t’u parë në orët dhe ditët në vazhdim se kush do e marrë drejtimin e ekipin tonë kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë