Futboll

Stirling i shkruan tifozit për racizmin, letra bëhet virale

Sulmuesi i Mançester Sitit, Rahim Sirling, është bërë protagonist i një gjesti të veçantë, që brenda pak minutash ka marrë vëmendjen e shtypit britanik dhe ka bërë xhiron e botës. Ai i ka shkruar një letër të shkurtër një tifozi të “qytetarëve”, i cili ka qenë viktimë e racizmit. Futbollisti 24-vjeçar i Anglisë e ka ndjerë në zemër t’i japë kurajë këtij tifozi, viktimë e abuzimeve raciste. Për historinë në fjalë, sulmuesi i ri është informuar nga gjyshja e djaloshit.

Në letrën e dërguar nga Stirling, shkruhet: “I dashur  Ethan, gjyshja jote më ka treguar së fundi për periudhën e vështirë që po kalon, për shkak të abuzimeve raciste ndaj teje. Kujto gjithmonë se duhet të jesh krenar për atë që je dhe mos lejo të të shkurajojnë. Bëhu i fortë, gjyshja jote është krenare për ty! Me dashuri, Rahim Stirling”. Një letër, që është bërë virale në Angli pas fitores së Mançester Sitit në “Carabao Cup” kundër Bërtonit, me rezultatin e thellë 9-0.

Majtas letra e Stirling për tifozin e Mançester Sitit, djathtas episodi kur sulmuesi ishte viktimë e fyerjeve raciste nga tifozët e Çelsit

Në muajin dhjetor, vetë Stirling ishte në qendër të një episodi racist gjatë ndeshjes me Çelsin. Telekamerat e televizioneve angleze kishin fiksuar tifozët vendës, të cilët i drejtoheshin me fjalë fyese dhe epitete të ndryshme raciste futbollistit, ndërkohë që ai ishte duke kryer një rivënie anësore. Këta tifozë janë identifikuar nga policia, ndërsa Çelsi u ka pezulluar atyre abonimin për ndeshjet që ekipi luan në fushën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë