Tokio 2020

Starton sot Olimpiada më e vuajtur, një mesazh universal për jetën

Më në fund, erdhi momenti i startit për Tokio 2020, Lojërave Olimpike më të vuajtura, të shtyra një vit më parë për shkak të pandemisë së Koronavirusit, që ka pushtuar botën prej një viti e gjysmë. Marrin fund dyshimet për një anulim të mundshëm, është koha për të garuar.

Asnjë Olimpiadë nuk ka qenë më e kërkuar se kjo, edhe sepse ka qenë më e vështira për t’u organizuar, me shumë pengesa, më e luftuara. Për këto arsye, Lojërat Olimpike të Tokios kanë zënë një vend special në histori që pa nisur akoma. Do të jetë një Olimpiadë ndryshe nga të tjera për një seri arsyesh: zhvillohet një vit me vonesë, zhvillohet në pandemi dhe në heshtje të plotë, sepse nuk do të ketë publik.

Stadiumi ku do te zhvillohet ceremonia e hapjese së Lojërave Olimpike. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Do të jetë një edicion, ku rezultati sportiv nuk do të jetë para së gjithash. Më rëndësishme është të jesh, të marrësh pjesë. Virusi, që për herë të parë ka kushtëzuar shtyrjen e një Olimpiade, gjatë këtij viti e ka shtyrë sportin të rigjejë në vlerat e veta konstruktive forcën për të rilindur dhe për të ecur përpara.

Edicionet e para të Lojërave Olimpike kishin si qëllim kryesor të bënin bashkë një program dhe t’i shkonin atij deri në fund. Kaq, asgjë më shumë. Rekordet, biznesi, të drejtat televizive, kalendari i ngjeshur, disiplinat e reja, të gjitha këto kanë ardhur më pas. Mijëra sportistë që kanë këmbëngulur për të qenë në Tokio duhen falënderuar. Të gjithë pa përjashtim, qofshin të parët apo të fundit. Duhen falënderuar të gjithë yjet, edhe ata që maksimumi do të jenë një “flash” i humbur në mijëra imazhe të transmetuara.

Faleminderit për ata që do të humbin një medalje për një të qindtat e sekondës, për një votë, për asgjë. Faleminderit atyre që do të dalin nga kualifikueset pa asnjë duartrokitje. Kurrë si këtë herë, do të jenë protagonistë edhe ata. Olimpiada është një mesazh universal jete, që është më i fuqishëm se vaksinat. Me këtë shpirt do të shoqërohen Lojërat që nisin sot, të vetëdijshëm për vështirësitë në të cilat do të zhvillohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë