Futboll

Starton sot “Final Four” në Ligën e Kombeve, të gjithë kundër Ronaldos

Me ndeshjen Portugali-Zvicër, që luhet sot në mbrëmje në Oporto, starton faza finale e Ligës së Kombeve, ose siç quhet ndryshe “Final Four”. Është ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kombeve, turneut të ri të UEFA-s për kombëtaret. Gjysmëfinalja tjetër, Angli-Holandë, do të luhet nesër. Pas ndeshjeve eliminatore, në 4-she dolën Portugalia, Zvicra, Anglia dhe Holanda.

Kombëtarja portugeze, e drejtuar nga trajneri Fernando Santos, niset favorite për fitimin e Kupës, - që do t’i sillte 10 milionë euro fitime, - pasi luan në shtëpi dhe udhëhiqet nga Kristiano Ronaldo. Portugalia ka në përbërje edhe lojtarë të tjerë me kualitet të lartë si Zhoao Kanselo, Bernardo Silva dhe fenomeni Zhoao Feliks. Por në garë për Kupën janë edhe yje të tjerë të futbollit europian, si Kejn dhe Sterling me Anglinë, de Jong, de Ligt dhe Van Dijk me Holandën, si dhe dy shqiptarët Shaqiri dhe Xhaka me Zvicrën. Janë 6 lojtarët që mund të bëjnë një dopietë historike, Ligë Kampionësh-Ligë Kombesh: Aleksandër-Arnold, Gomez dhe Henderson tek Anglia, van Dijk dhe Uijnaldum te Holanda, dhe Shaqiri te Zvicra. Spektakli është i garantuar.

Nga Stërvitja e Portugalisë, favorite për fitimin e Kupës

Për herë të parë në një kompeticion të UEFA-s për skuadrat kombëtare, do të përdoret VAR-i. Dy skuadrat fituese në gjysmëfinale ndeshen më 9 qershor në finale, kurse dy skuadrat humbëse do të diskutojnë vendin e tretë po në këtë datë. Në rast barazimi në kohën e rregullt, do të ketë kohë shtesë, ku skuadrat kanë të drejtë të bëjnë edhe ndërrimin e katërt. Në rast barazimi edhe pas 30 minutave shtesë, do të gjuhen penalltitë. Në këtë turne do të përdoret “goal line technology”. E veçanta është se të katërta skuadrat pjesëmarrëse në “Final Four” do të shpërblehen financiarisht, sipas renditjes përfundimtare. Skuadra fituese përfiton 10.5 milionë euro, skuadra e vendit të dytë 9 milionë euro, skuadra e vendit të tretë 8 milionë euro dhe skuadra e vendit të katërt 7 milionë euro.

Gjysmëfinalet
5 qershor, ora 20:45: Portugali-Zvicër (Oporto)
6 qershor, ora 20:45: Holandë-Angli (Guimaresh)
Vendi i 3-të
9 qershor, ora 15:00 (Guimaresh)
Finalja
9 qershor, ora 20:45 (Oporto)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë