Ekonomi

Standard&Poor’s bujare për rritjen ekonomike, por shtyrja e negociatave ndikon reformat

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit financiar Standard & Poor’s ka thënë se vendimi i 18 tetorit i Këshillit Europian për mos çeljen e bisedimeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në do të ketë pasoja të kufizuara afatshkurtra ekonomike, por mund të rëndojë edhe mbi angazhimet për reformat afatgjata të të dy vendeve.

Por Agjencia ka qenë më bujare në parashikimet për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë se FMN (3%) dhe Banka Botërore (2,9%). Ajo ka bërë një paarshikim prej 3,5 % zgjerim të ekonomisë për këtë vit.

Agjencia është shprehur se vëren një trend pozitiv të reformës në të dy vendet viteve e fundit në përputhje me aspiratat e tyre të pranimit.

”Kjo është në të vërtetë hera e dytë që Këshilli Europian ka shtyrë bisedimet në 2019 pas një vendimi të ngjashëm në qershor.Sipas rezolutës së miratuar, Këshilli në vijim do të marrë në konsideratë zgjerimin para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj të vitit 2020. Kjo ndryshon nga pritshmërinë tona të mëparshme sipas së cilës BE do të vendoste të hapë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut këtë vit, pasi ta kishte njohur përparim thelbësor në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së saj për emrin me Greqinë.”- citon në raport për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut Standard&Poor’s.

Për mendimin tonë, vijon raporti, shtyrja e përsëritur e vendimit për hapjen e bisedimeve të pranimit në fund të fundit mund të jetë e dëmshme për cilësinë e hartimit të politikave ekonomike në të dy vendet.

Sipas Agjencisë, bisedimet e pranimit zakonisht veprojnë si një spirancë reforme me vendet kandidate që zbatojnë ndryshime strukturore që ndryshe mund të jenë të vështira për t’u zbatuar për arsye politike të brendshme.

Ky, për shembull, ishte rasti i Reformës Gjyqësore të Shqipërisë në vitin 2016, të cilën politikëbërësit e miratuan me perspektivën e përparimit të mëtejshëm në rrugën e pranimit në BE. Kjo ishte një nga reformat më të rëndësishme strukturore në vend në 10 vitet e fundit, që synonte luftën kundër korrupsionit brenda gjyqësorit dhe përfundimisht përmirësimin e “shtetit të së drejtës” dhe mjedisit të biznesit.

Aktualisht, citon raporti, nuk presim që ky proces të ndikojë në dinamikën e ekonomisë afatshkurtër, megjithëse rreziqet do të mbesin, siç vihet re edhe në ndikimin më të fundit të pasigurisë politike në rritje pas zgjedhjeve.

Bisedimet e pranimit janë një procedurë e gjatë dhe reformat e miratuara në këtë proces zakonisht prodhojnë rezultate pozitive vetëm për një afat të gjatë, siç shihet me vendet e tjera. Ne ruajmë parashikimin tonë të rritjes ekonomike për vitin 2019 me 3% për Maqedoninë e Veriut dhe 3,5% për Shqipërinë.

Përkatësisht, nuk ka asnjë ndikim në vlerësimet tona sovrane për Maqedoninë e Veriut (BB-/E Qëndrueshme/B) për Shqipërinë (B+/E qëndrueshme/B)”, përfundon Standard&Poor’s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë