Futboll

Stadiume të mbuluar nga bora, shtyhen disa ndeshje për shkak të motit të keq

Gazeta Si - Disa ndeshje të planifikuara për t’u zhvilluar sot, kryesisht të Kategorisë së Dytë dhe të grup-moshave, janë shtyrë për shkak të motit të keq. Vendimi është marrë sot nga sektori i garave në FSHF, pasi një pjesë e mirë e vendit është gdhirë nën petkun e dëborës.

Gjendja e stadiumeve dhe e fushave është rënduar nga reshjet e fundit, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të ndeshjeve, si dhe udhëtimin e skuadrave nga njëri qytet në tjetrin.

Gramozi stervitet ne bore. Gazeta Si, 27 shkurt 2022

Ndeshjet e shtyra janë ato të zonës jugore të vendit, të skuadrave të Kategorisë së Dytë. Kështu, nuk do të luhen sot sipas kalendarit Përmeti-Flamurtari, Devolli-Gramozi, Luftëtari-Sopoti, Tepelena-Këlcyra, Naftëtari-Labëria dhe Albpetrol-Memaliaj.

Po ashtu, janë shtyrë edhe disa ndeshjeve të grup-moshave U-17 dhe U-15, si dhe disa ndeshje të futbollit të femrave. Të gjitha këto ndeshje do të rikuperohen në një datë, që do të vendoset nga FSHF-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë