Ngjarje

“Sporti” i tritolit ndaj shtyllave elektrike rikthehet me krizën politike

Brenda 3 muajve të parë të këtij viti, shtyllat e transmetimit të tensionit të lartë në vend janë bërë objekt i dy sulmeve me tritol. Të dyja rastet janë regjistruar në zonën e Fushë-Krujës dhe në asnjërën prej tyre shpërthimet nuk kanë mundur dot të hedhin në tokë shtyllat.

Por, sulmet ndaj këtyre objekteve nuk janë një risi në shoqërinë shqiptare. Në të shkuarën ka pasur plot sulme të tjera, të ngjashme, ku kulmi ka qenë prej vitit 1998 deri në vitin 2002. Gazeta “Si” mëson nga arkivat e Policisë së Shtetit se janë të paktën 37 raste të regjistruara në këtë periudhë.

LEXO EDHE: Tritoli në shtyllën e tensionit, shoqërohen 5 persona në Fushë-Krujë
Tritol shtyllës së tensionit në Fushë Krujë, akuza mes PS-PD

Pjesa më e madhe e sulmeve kanë dëmtuar rëndë shtyllat e tensionit, por pa arritur që t’i rrëzojnë ato. Shtrirja e tyre gjeografike është e gjitha në veri të vendit, duke nisur nga Fushë-Kruja, deri në Milot, Mamurras, Pukë e deri në Tropojë.

Në pjesën dërrmuese, në shënjestër të autorëve ka qenë linja e transmetimit të energjisë elektrike që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ndërsa në një rast në vitin 1998 është sulmuar interkonjeksioni me Kosovën, megjithëse në atë periudhë ishte jashtë funksionit.

Linjat e sulmuara janë të një rëndësie të veçantë për furnizimin me normalitet me energji elektrike të pjesë më të madhe të vendit, sidomos në kohë thatësie, pasi janë rrugët e importit të rrymës. Burime nga Policia e Shtetit thonë se në dosjet e arkivuara autorët e sulmeve janë identifikuar vetëm në 11 raste, ndërsa në pjesën tjetër ata janë anonimë.

Megjithëse akuzat e ngritura ndaj tyre në atë kohë ishte ajo e “shkatërrimit të pronës publike” dhe ajo e “terrorizmit”, sipas burimeve, edhe ata pak persona që dolën para gjykatës, ose morën dënime qesharake, ose hetimet u mbyllën për mungesë provash.

Rastësi apo jo, e vërteta është që sulmet e tilla kanë ndodhur gjithmonë kur skena politike në vend është nxehur përtej normalitetit të qetësisë që mund të ofrojë klasë politike shqiptare. Sulmet e para nisën pas 14 shtatorit të vitit 1998, ditë kur protestuesit e Partisë Demokratike, në atë kohë në opozitës, sulmonin Kryeministrinë në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të Azem Hajdarit.

Sulmet nxiteshin nga kreu i PD-së në atë kohë, Sali Berisha, që akuzonte drejtpërdrejtë Fatos Nanon si autorin e ekzekutimit të Hajdarit. Muajt që pasuan ishin ata me dendësinë më të madhe të sulmeve ndaj shtyllave të tensionit të lartë. Nga dimri i 1998 deri në dimrin e 1999 janë të paktën 21 raste tritolvënie ndaj këtyre objekteve.

“Vetëm në një rast në këtë periudhë u rrëzua shtylla në Milot, ndërsa në rastet e tjera shtyllat u dëmtuan rëndë”, thonë burimet për Gazetën “Si”.

Policia dhe prokurorët besonin në atë kohë se bëhej fjalë për ekspertë të lëndëve plasëse, me gjasa ish-ushtarakë, ose ish-punonjës të vetë Policisë së Shtetit. Në atë kohë kishte një listë me të dyshuar, por në asnjë rast nuk u provuan akuzat ndaj tyre. Burimet thonë se nga këqyrja e dosjeve hetimore të atyre ditëve kupton se nuk bëhet fjalë për një dështim të autorëve në tentativat kur shtyllat nuk kanë rënë.

“Mënyra e vendosjes së tritolit është e atillë sa të krijon bindjen se qëllimi nuk ishte rrëzimi, por dëmtimi në masë të madhe të shtyllës”, thuhet në njërën nga dosjet hetimore të vitit 2002.

Në të gjitha këto raste, hetuesit besojnë se qëllim në vetvete ka qenë përçimi i një mesazhi, shtimi i dozave të pasigurisë në vend dhe rritja e pakënaqësisë ndaj pushtetit.

Një nga sulmet që rriti orët e reduktuara me furnizim me energji elektrike të vendit ndodhi në nëntor të vitit 2000, pak muaj nga zgjedhjet qendrore të 2001. Shtylla nuk ra, por dëmtimi ishte aq i rëndë sa u detyruan punonjësit e KESH në atë kohë që të stakojnë rrymën dhe të ndërhynin për disa javë në riparimin e shtyllës.

Përgjatë gjithë kësaj periudhe klima politike ka qenë në kulmin e akuzave dhe kundërakuzave mes socialistëve të Fatos Nanos dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës. Ky i fundit deklaronte publikisht një mori akuzash ndaj Fatos Nanos dhe njerëzve të tij më të afërt, që nga korrupsioni e deri tek lidhja me skafistët e trafikut njerëzor.

Në fillim të 2002 gjuha e akuzave dhe kundërakuzave u ashpërsua akoma më shumë. Edhe në këtë periudhë pati shpërthime ndaj shtyllave në Laç, por ishin më të rralla. Këtë vit do të zgjidhej Presidenti i ri i vendit, njeriu që do të pasonte Rexhep Mejdanin në krye të shtetit shqiptar. Partia Demokratike kërkonte me ngulm një emër konsensual.

Edhe me presionin e ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, emri konsensual u gjet. Ai ishte Alfred Moisiu. Ai u zgjodh në shtator të 2002 me 97 vota në Parlament nga 84 që i duhej për të marrë postin. Pas zgjedhjes së tij, rastësisht sulmet me tritol ndaj shtyllave të tensionit të lartë u zhdukën.

Mazhoranca dhe opozita nuk kishin hequr dorë nga akuzat ndaj njëra-tjetrës, por tonet e përdorura në diskursin politik u zbutën. Më shumë se me PD, socialistët tashmë sherrin e kishin brenda vetes. Ai përfundoi me shkëputjen e Ilir Metës dhe krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në 2005 erdhi Partia Demokratike në pushtet. Që prej këtij viti, sulmet ndaj shtyllave të tensionit të lartë janë regjistruar në tre raste, duke përjashtuar këtu dy rastet e fundit. I pari ka ndodhur në 2007, i dyti në 2012 dhe i treti në 2014.

Në asnjërin prej këtyre rasteve shtyllat nuk janë rrëzuar, ndërkohë që 2 sulme në harkun kohor të 3 muajve janë në frekuencë kohore të atentateve të ndërmarra përgjatë viteve 1998-2002. Rastësi apo jo, këto sulme e gjejnë situatën politike në vend po aq të ndezur sa ato vite, në mos më shumë.

Opozita ka djegur mandatet dhe ka dalë në rrugë, duke organizuar disa protesta, ku dhuna nuk mungon. Sot përballë nuk janë Fatos Nano me Sali Berishën, por Lulzim Basha me Edi Ramën. Megjithatë, akuzat nuk kanë ndryshuar. Basha, ashtu siç Berisha akuzonte Nanon, akuzon Ramën sot për lidhje me krimin dhe korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë