Spitali rajonal i Shkodrës ka anuluar ndërhyrjet kirurgjikale deri më 6 janar 2020. Shkak bëhet mungesa e mjekëve dhe nevoja për mirëmenaxhim të situatës si pasojë e urgjencave që vijnë në ditët festive.
“Ju njoftojmë se për arsye të mirëmenaxhimit dhe mirëplanifikimit të mbulimit të shërbimit mjekësor të urgjencës për peridhën e festave të fund-vitit 2019 dhe fillim-vitit 2020 lind nevoja të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara për peridhën 30 dhjetor 2019 dhe deri në 06 janar 2020”, shkruhet në dokumentin, i cili i është drejtuar Gëzim Galiqit, shef i Shërbimit të Kirurgjisë dhe Senad Hallunit, Shef i Shërbimit të Obstetrikë-Gjinekologjisë.
Ish-deputeti Bardh Spahia ka reaguar për vendimin për të pezulluar ndërhyrjet kirurgjikale në spitalin e Shkodrës. Vendimi është marrë për ndërhyrjet e planifikuara nga 30 dhjetori deri më 6 janar.
Por përfaqësuesi i Partisë Demokratike thekson se ky vendim është marrë për shkak të tejkalimit të buxhetit nga koncesioni i sterilizimit.
“Në zbatim të udhëzimeve nga ministria, vijojnë urdhrat për ndërprerje të operacioneve edhe në spitalin e Shkodrës. Kush është planifikuar për ndërhyrje kirurgjikale jo vetem në repartin e Kirurgjisë por tashmë, edhe në atë të Obstetrikës, duhet të presë, se shëndetësia e Rilindjes jep shërbim me racion për shkak të tejkalimit të buxhetit nga koncesioni i sterilizimit, e jo atëherë kur duhet! Shëndeti me racion, si tollonat e kohës së diktaturës! Lavdi koncesioneve PPP!!!”, shkruan ish-deputeti në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.