Komunitet

Spitalet e Janinës mbushen nga shqiptarët me Covid-19, mediat greke: Si e kalojnë kufirin për t’u mjekuar tek ne

Janina u fut në listën e zonave të kuqe gjatë ditës së djeshme.

Guvernatori, Alekos Kachrimanis tha se në rëndimin e situatës së pandemisë në Janinë ka kontribuuar numri i madh i pacientëve të infektuar me koronavirus, që vijnë nga Shqipëria.

“Pamja epidemiologjike e Janinës ndikohet ndjeshëm nga pacientët të cilët kanë ardhur nga Shqipëria dhe po trajtohen në spitalet e rajonit”, tha Kachrimanis.

Sipas medias greke Protothema, guvernatori Rajonal i Epirit thekson se Njësia Rajonale e Janinës kishte arritur të kontrollonte përhapjen e koronavirusit, falë kontrolleve të strukturuara, sistematike në komunitet, institucione, spitale, vende publike dhe shumë bizneseve.

Inspektimet janë vazhdimisht në rritje dhe janarin e kaluar numri i mostrave në Njësinë Rajonale të Janinës arriti në 11,307, ndërsa në muajin aktual deri më sot janë marrë 14,225 mostra (duke përjashtuar ato të Kakavijës).

Si rezultat i kontrolleve dhe gjurmëve, në janar numri mesatar i rasteve u ul dhe në të njëjtën kohë edhe shtrimi në spital i pacientëve me Covid-19.

Me hapjen graduale të shkollave dhe tregjeve, Epiri tregoi një rritje të vogël të rasteve, por gjithnje shumë më të vogla krahasuar me pjesët e tjera të vendit, shkruan Protothema.

“Është fakt që ka pasur disa ankesa për mosrespektim të masave, të cilat kanë krijuar shpërthime të sëmundjes. Të gjithë janë kontrolluar dhe vazhdojnë të kontrollohen nga gjurmimi sistematik, i cili kryhet në mënyrë inovative dhe shteruese nga Shërbimet e Shëndetit dhe Mbrojtjes Civile të Epirit”, thekson Kachrimanis.

Në deklaratën e tij, Kachrimanis thekson qartazi se pamja epidemiologjike e rajonit ndikohet nga udhëtimet e bëra nga Shqipëria.

“Sidoqoftë, barra epidemiologjike në zhvillim javët e fundit është kryesisht për shkak të faktorëve të jashtëm dhe veçanërisht për pranimet në spitale të pacientëve nga Shqipëria fqinje, të cilat vendosen dhe miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme. Sot 50% e pacientëve të trajtuar në Njësitë e Sëmundjeve Infektive të spitaleve të Janinës vijnë nga Shqipëria... ”, shtoi ai.

“Hile” me testet e rreme negative

“Shofer, ndal këtu, kam dhimbje në zemër dhe nuk ndihem mirë”.

Me këtë frazë të përsëritur dhjetëra shtetas shqiptarë që janë diagnostikuar në vendin e tyre pozitiv për koronavirus, kalojnë kufirin me një test të rremë negativ dhe arrijnë të kurohen në Spitalin Universitar të Janinës, vijon shkrimin Protothema

“Sapo kalojnë kufirin, ata i thonë shoferit të autobusit se nuk ndihen mirë dhe se kane dhimbje në zemër, me qellimin që shoferi t’i çojë drejtpërdrejt në Qendrën Shëndetësore Delvinaki (një fshat afër kufirit me Shqipërinë). Aty ata i nënshtrohen një testi të shpejtë i cili është sigurisht pozitiv”, tha kryetari i Dhomes se Janines, Dimitriou Dimitrios

I pyetur pse një shtetas shqiptar duhet të ndjekë këtë procedurë dhe të mos zgjedhë të mjekohet në një nga spitalet e vendit të tij, Dimitriou Dimitrios shpjegon:

“Por për arsyen e thjeshtë se në vendin e tyre politika e qeverisë ndaj pandemisë, është praktikisht jo- ekzistuese. Gjithçka është e hapur, pa kontroll dhe në rast se përjetoni simptoma të rënda, gjithçka që ato ofrojnë është një aparat për frymëmarrje dhe mbyllje në shtëpi, kështu që ka kuptim që ata të kërkojnë trajtim në spitalet greke”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë